11-vjeçari që dashuron matematikën sapo shkroi një libër mbi monedhën virtuale “Bitcoin”

Ashtu si shumica e nxënësve të klasës së gjashtë, Andrew Courey, kur nuk është në shkollë, zakonisht merret me sport dhe me ‘iPhone-in’ e tij. Por ndryshe nga shumica e 11-vjeçarëve të tjerë, ai është gjithashtu një ekspert i ‘Bitcoin’.

Courey është autor i librit “Zogu i mëngjesit merr Bitcoin-in: Udhëzuesi i fundit për gjithçka rreth Bitcoin”, të cilin ai e publikoi për “Amazon Kindle” në janar. Libri në formën e “e-book” shitet për 2.99 dollarë dhe botimi fizik kushton 9.99 dollarë.

Bir i një investitori të teknologjisë, Courey e do matematikën, merret me aplikacionet e celularëve, e shpesh vjen me ide të reja biznesi. Në një nga lojërat e tij të fundit të basketbollit, i mërzitur nga gjyqtari, shkoi tek babai i tij dhe i sugjeroi krijimin e “Glassdoor për gjyqtarët” – një faqe interneti për vlerësimin e zyrtarëve.

Vitin e kaluar, ai po kërkonte mundësi investimi si pjesë e një plani ambicioz për të fituar 20 milionë dollarë deri në moshën 14 vjeçare, gjë që do t’i mundësonte atij të braktiste shkollën, sipas një marrëveshjeje me prindërit e tij. Courey hasi në “bitcoin” dhe filloi të lexonte rreth tij dhe të shikonte videot në ‘YouTube’ rreth investitorëve të hershëm të cilët kishin bërë shumë para nga monedha digjitale.

Edhe pse “ Bitcoin” u rrit pothuajse 17 herë vitin e shkuar, Andrew nuk investoi në monedhë. Por duke e ditur se djali i tij po kërkonte burime të të ardhurave pasive, Jeff Courey, e bindi atë për të shkruar dhe shitur një libër me të gjitha hulumtimet e tij rreth kësaj monedhe dhe të thjeshtonte shumë ide komplekse rreth ‘Bitcoin’ dhe ‘blockchain’.

“Kushdo mund të mësojë rreth kripto-valutës nëse është i gatshëm të kalojë 70 deri në 80 orë duke hulumtuar çdo burim derisa të gjejnë burime që kanë kuptim”, tha Andrew, i cili jeton me prindërit e tij dhe motrën e vogël në Wellesley, Massachusetts.

Libri përmban terma të thjeshtë dhe është shumë i thjeshtë për t’u lexuar e kuptuar. Ai përmban 57 faqe dhe përfshin kapituj mbi historinë e Bitcoin, kuletat Bitcoin, kripto-valutën dhe ofertat fillestare. Titulli ka dy kuptime: shpendët e mëngjesit që shërbejnë si referencë për fëmijët (për të cilët është shkruar libri) dhe ideja që njerëzit që investuan në fillim arritën të fitojnë shumë nga monedha.

Courey thotë se libri i mori rreth tre muaj për të hulumtuar, shkruar dhe redaktuar.

Andrew zotëron 0.00222 Bitcoin (rreth $ 22.50), të cilin ai e bleu pak para Krishtlindjeve, por shprehet se nuk do të investojë më tepër. Ai ka një plan tjetër për të fituar 20 milion dollarëshin e tij: duke krijuar një aplikacion celularësh mbi matematikën.

Share With:



202 Views