16-vjeçarja, Greta Thunberg shkund Kongresin Amerikan

Aktivistja për mbrojtjen e mjedisit, 16-vjeçarja nga Suedia, Greta Thunberg kërkoi të mërkurën që Kongresi Amerikan të dëgjojë shkencëtarët, të cilët kanë dhënë alarmin mbi  kërcënimin e ngrohjes globale.

Thunberg tha se, ajo po bashkëngjit si dëshmi një raport historik të Kombeve të Bashkuara për vitin 2018 që paralajmëroi për pasoja të tmerrshme për planetin nëse atmosfera ngrohej në më shumë se 1.5 gradë celsius mbi nivelet paraindustriale.

                   Greta Thunberg me ish-presidentin e SHBA-ve, Barack Obama

“Unë po e paraqes këtë raport si dëshminë time sepse nuk dua që ju të më dëgjoni mua, unë dua që ju të dëgjoni shkencëtarët. Unë dua që ju t’i bashkoheni shkencës. Dhe atëherë dua që të veproni.”,- tha ajo.
Ajo debatoi në Kongres me republikanin, Garret Graves.

Garret Graves: Në SHBA sot po shpenzojmë më shumë për teknologjinë e shkencës së klimës dhe zgjidhje për energjinë sesa për çdo gjë tjetër në botë. Znjsh.Thunberg më lejoni t’ju pyes: Nëse po lundron përreth oqeanit dhe po mbledh mbeturinat që gjen, dhe për çdo mbeturine që ti mbledh ka një varkë krah teje që hedh 5 të tjera. Si do të ndiheshe?

Greta Thunberg: Do të ndaloja së hedhuri mbeturina në oqean dhe do t’u thosha varkave të tjera të bënin të njëjtën gjë.

Garret Graves: Kjo është pika kryesore këtu. Unë mendoj që duhet të fokusohemi te shtetet e tjera që hedhin mbetje në oqean. Sigurisht që kjo është një metaforë.

Greta Thunberg: Unë jam nga Suedia, një vend i vogël. Edhe atje është i njëjti argument. “Pse duhet të veprojmë ne, shihni SHBA-të?”,-thonë./Përshtati nga BBC, Kalina Xhunga/ dritare.net

Share With:



69 Views