5 hapa të thjeshtë për t’u mbrojtur nga gripi

Simptomat më të shpeshta të gripit janë temperatura, kolla e thatë, dhimbja e kokës, dhimbje kyçesh dhe muskujsh, dhimbje fyti dhe rrufë.

Çdo vit, miliona njerëz preken nga gripi. Pjesa më e madhe e tyre e  kalojnë  për një javë, por për një pjesë tjetër gripi mund të jetë vdekjeprurës.

Epidemitë sezonale të gripit ndodhin zakonisht në fund vjeshte – fillim dimri dhe fund dimri – fillim pranvere. Duke e ditur këtë ne mund të përgatitemi në mënyrën e duhur. Në zonat tropikale, gripi mund të qarkullojë gjatë gjithë vitit, në mënyra më të parregullta por parandalimi është njëlloj i rëndësishëm.

Ja si mund ta mbroni veten dhe ata rreth jush.

Vaksinohu

Vaksinimi i përvitshëm është mënyra më efektive për t’u mbrojtur nga gripi dhe komplikacionet serioze të tij.

Vaksinimi është veçanërisht i rëndësishëm për gratë shtatzëna, në çdo fazë të shtatzënisë. Është gjithashtu shumë i rëndësishëm për fëmijë nga 6 muaj në 5 vjeç, të moshuarit, ata persona që vuajnë nga sëmundje kronike dhe për punonjës të kujdesit  shëndetësor.

Mbani mend: vaksina kundër gripit nuk mund të bëjë që të prekeni nga gripi.

Lani duart rregullisht

Duart e pastra ju mbrojnë nga shumë infeksione, duke përfshirë këtu edhe gripin. Mbajtja e duarve të pastra është një mënyrë e lehtë që të mbani veten dhe familjen tuaj të shëndetshme.

Lajini rregullisht duart me sapun dhe ujë të rrjedhshëm dhe thajini mirë ato. Mund të përdorni edhe një locion pastrues me bazë alkooli nëse nuk keni afër ujë dhe sapun.

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës

Mikrobet dhe bakteret hyjnë zakonisht në trupin tuaj nëpërmjet syve, hundës dhe gojës. Ju nuk mund të kontrolloni dot gjithçka që thithni me anë të frymëmarrjes, por mund të reduktoni riskun e infektimit duke mbajtur duart tuaja larg fytyrës.

Nëse ju duhet të prekni sytë, hundën apo gojën bëjeni këtë me një pecetë të pastër ose lani duart më përpara.

Shmangni qëndrimin rreth njerëzve të sëmurë

Gripi është ngjitës. Përhapet shumë lehtë në ambjente të mbyllura e me shumë njerëz si në transportin publik, në shkolla, kopshte, gjatë eventeve publike etj. Kur një person i prekur me grip kollitet apo tështin,  pikëza që përmbajnë virusin mund të përhapen eri në një metër, duke infektuar të tjerë që i marrin me anë të frymëmarrjes.

Nëse nuk ndiheni mirë, qëndroni në shtëpi

Nëse je i sëmurë me grip, i vë të tjerët rreth teje në rrezik. Kjo është sidomos e rrezikshme për ata njerëz me sëmundje kronike si kanceri, sëmundjet e zemrës dhe HIV. Izolimi sa më i shpejtë i vetes mund të parandalojë përhapjen e gripit dhe të shpëtojë jetë.

Share With:



62 Views