20 lojrat më të bukura të fëmijëve të viteve ’90 që i keni harruar

1. Loja “Hapa dollapa”

Luhej me dy ose më shumë persona. Teksa njëri mbyllte sytë dhe mbështetej në mur me njërin krah para fytyrës, të tjerët duhet të fshiheshin.

“Hapa dollapa, kush është fshehur prapa? Prapa meje s’ka njeri, tani i hapa.”, ishin fjalët që duhet të thonte personi i cili kishte mbyllur sytë.

2. Loja “Ngriva-shkriva”

Një person duhet të ndiqte nga pas të tjerët dhe duhej t’i prekte para se ata të thonin fjalën ‘ngriva’. Kur thuhej ‘ngriva’, lojtari bëhej imun ndaj prekjes së të tjerëve dhe nuk mund të digjej në lojë. Menjëherë sapo thuhej ‘shkriva’, loja fillonte aty ku ishte lënë dhe atij i duhej të vraponte për të mos u kapur nga personi që e ndiqte.

3. Loja me guzhineta

Karroca me guzhineta ishte loja më e përhapur e fëmijëve të asaj kohe, të cilët me një copë dërrasë apo arkë të vendosur mbi rrota, krijonin ‘automjetin’ e tyre personal dhe shëtisnin rrugëve duke u shtyrë nga dikush nga pas.

4. Gjuajtje me llastiqe

Një llastik i lidhur në dy degët e një druri në formën e ‘Y’-së shërbente si hark për të gjuajtur ‘shigjetat’, të cilat ishin zakonisht gurë të vegjël, që godisnin sende nga më të ndryshmet.

5. Loja me litar

Dy persona qëndronin në dy anët e një litari të cilin e tundnin me të njëjtin ritëm, ndërsa në mes, një ose më shumë persona kërcenin mbi litar, në varësi të gjatësisë së litarit.

6. Loja me llastik

Llastiku i gjatë lidhej në formën e një rrethi të madh dhe dy persona e mbanin të qëndruar fiks me këmbët e hapura përballë njëri-tjetrit, ndërkohë që lojtari duhej të hidhej e të manovronte mbi llastik. Niveli i vështirësisë së lojës rritej kur llastiku ngrihej nga kyçet e këmbëve drejt gjunjëve.

7. Loja me pafka

Në dysheme vizatoheshin katrorë me numra të ndryshëm dhe vendosej një pafkë, të cilën duhet t’a shtyje me njërën këmbë nga fillimi në fund të kuadrateve, pa e ulur këmbën tjetër në kuadratin që nuk duhej.

8. Loja “Telefoni i prishur”

Një varg njerëzish transmetonin tek njëri-tjetri një fjalë të thënë në vesh, nga i pari tek i fundit i lojës. Qëllimi ishte që fjala të dilte ashtu siç ishte thënë nga personi i parë. Nëse gabohej dhe fjala ndryshohej, personi që kishte gabuar skualifikohej nga loja dhe kështu vazhdohej me të tjerët me rradhë.

9. Loja “E ka kush e ka”

Loja konsistonte në një grup fëmijësh që vraponin për t’i shpëtuar personit që i ndiqte. Kur ky i fundit kapte një prej fëmijëve, i kapuri duhet të niste lojën sërish në ndjekje të të tjerëve, për t’ja lënë stafetën dikut tjetër.

10. Loja “Roza rozina”

Disa fëmijë kapeshin dorë për dore me njëri-tjetrin dhe vinin rrotull duke krijuar një rreth, ndërkohë që këndonin:

Roza rozina, çelin trendafila. Bashkë me zambakun, edhe lule të tjera.

Kush i do këto lule, tasi me fasule, gota me raki, “Gëzuar Vitin e Ri”, ishin fjalët e këngës dhe në përfundim të saj të gjithë uleshin në tokë në formën e rrethit.

11. Loja “Topa-djegësi”

Loja luhej me 3 ose më shumë persona. Në lojë vendoseshin 2 porta përballë njëra-tjetrës, ku në secilën prej tyre qëndronte një lojtar, ndërsa një ose më shumë kundërshtarë futeshin në fushë. Personat brenda në fushë duhej të qëllohehin me top dhe nëse prekeshin nga topi, ata skualifikoheshin nga loja.

Nqs personi arrinte ta priste topin me duar, atij i shtohej një jetë për secilin top të pritur.

12. Lojë me numërim

Loja bëhej me 10 gishtat e duarve të një personi. Teksa këndohej kënga, personi tjetër shoqëronte me gisht secilin gisht të lojtarit dhe në përfundim të këngës, gishti që përkonte me fjalën e fundit, duhej të fshihej përbrenda pëllëmbës, derisa mbetej gishti i fundit fitimtar.

13. Loja gur tresh

Dy kundërshtarët në lojë mbanin kopsa të dy modeleve, të cilat duhet t’i vendosnin njëri pas tjetrit në një kuti me 9 kuadrate.(3 me 3). I pari që arrinte të vinte në një vijë të drejtë tre kopsat e tij të njëjta, fitonte lojën dhe kopsat e kundërshtarit.

14. Loja me zarë

Lojtarët krijonin një fushë me kuadrate dhe vendosnin një numër brenda secilit kuadrat. Krahas saj, shkruhej një listë me veprimin që duhej të zbatohej për secilin numër ku lojtarët vendosnin gurin, pasi kishin marrë numrin e lëvizjeve nga zarët e hedhur. Në bazë të ‘urdhrit’ të dhënë në fletë, lojtarët lëviznin gurët e tyre në fushë dhe ai që arrinte i parë të përshkonte tërësisht trajektoren e kuadrateve, shpallej fituesi i lojës.

15. Loja me zarë plumbi

Në një trekëndësh të vizatuar në tokë vendoseshin 3 zarë prej plumbi dhe një zar tjetër të njëjtë me to duhej t’a godisje me gisht në mënyrë që të rrëzoje zarët e vendosur në trekëndësh, transmeton “Xing.al”. Nëse arrije t’i largoje 3 zarët nga trekëndëshi ishte fitimtar, por nëse njëri prej zarëve futej brenda në trekëndësh, loja quhej e humbur.

16. Loja me cingla

Loja konsiston në dy shkopa prej druri, njëri më i gjatë dhe tjetri më i shkurtër. Shkopi më i shkurtër vendosej mbi dy gurë apo tulla të mëdha, ose në një gropë të vogël të hapur në tokë. Shkopi më i gjatë futej në hapësirën poshtë shkopit të vogël dhe e godiste këtë të fundit, duke e hedhur sa më lart në ajër.

17. Loja polici-hajduti

Loja luhej me katër lojtarë. Secili prej tyre merrte rolin që zgjidhte pa e parë në letrën e palosur të vendosur në tavolinë. Njëri prej lojtarëve ishte në rolin e hajdutit, njëri në rolin e spiunit, njëri në atë të policit dhe tjetri të gjyqtarit.

Pa parë letrat e kundërshtarëve dhe pa e ditur se ç’role kishin, ata duhet të gjenin mes tyre se ç’rol kishte secili dhe pasi ishin gjetur të gjithë, gjykatësi i jepte dënimin hajdutit.

18. Kala dibrançe

Marrin pjesë persona të ndarë në dy grupe. Njëri grup vendoset në mesin e fushës duke formuar ‘kalanë’,të përkulur me shpinë dhe të kapur dorë për dore me njëri-tjetrin. Grupi kundërshtar nisin të hidhen një nga një mbi personat që kanë formuar kalanë, derisa t’a “shembin” atë. Kalaja nuk duhet të lëvizë gjatë lojës.

19. Lojëra me duar

Dy persona përballë njëri-tjetrit trokasin pëllëmbët e duarve duke i kombinuar me lëvizje të ndryshme që shtohen në numër. Personi që ngatërron i pari lëvizjen dhe humb ritmin e lojës, quhet humbës.

20. Kriporja

Mbi një letër shkruheshin 4 numra dhe nga një cilësi për secilin numër (psh: i/e bukur, llafazan/e etj.) Letra palosej në formën e kripores dhe fëmijët duhet të zgjidhnin njërin numër dhe sa herë e dëshironin, për të mësuar më pas një cilësi nga fjalët e shkruara në kripore.

Nëse kujtoni të tjera, na shkruani në komente lojrat që nuk janë përmendur në këtë artikull.

Share With:
Translate »
1581 Views