Big Mama emocionon me dedikimin për babain e ndjerë dhe tregon premtimin e fundit që i ka dhënë

E shtuna e javës së kaluar ishte një ditë zie për familjen e Big Mamës, pasi babai i saj ndërroi jetë. Këngëtarja e dha vetë lajmin e trishtë përmes një postimi në ‘Instagram’, në të cilin tregoi se babai, Adi Kasami, vuante nga një sëmundje e rëndë.

Dhimbja për Big Mamën është ende e fortë dhe këtë gjë ajo e ka treguar në një dedikim shumë të ndjerë për të atin. “Baba… Dashuria ime e parë dhe e fundit, asnjëherë nuk kam dashur dikë si ti dhe kurrë nuk do të dua dikë si të kam dashur ty. Krenare që jam bija jote, faleminderit që je babai im! Unë dhe ti nuk jemi ndarë vetëm se kemi filluar një komunikim tjetër që për ne është i panjohur. Kam pasur, kam dhe do të kem babanë më të mirë në botë. Me emrin tënd jam bija më krenare”, ka shkruar Big Mama. Ndër të tjera ajo ka falenderuar të atin për gjithë dashurinë që i ka dhuruar dhe për gjithçka që ka mësuar e trashëguar prej tij.

Më pas ajo ka treguar se do të vazhdojë punën e saj me të njëjtën energji dhe humor, sepse ky ka qenë premtimi i fundit që i ka bërë babait. Në fund Big Mama ka falenderuar të gjithë personat që në këto ditë të vështira i kanë qëndruar pranë familjes së saj, qoftë edhe me një mesazh ngushëllimi. Pasi mësuan lajmin e hidhur shumë kolegë të Big Mamës shprehën publikisht ngushëllimet, duke qenë se disa prej tyre e kishin njohur edhe nga afër babain e saj.

Share With:
Translate »
406 Views