Çfarë problemesh shëndetësore lidhen me gjakderdhjen vaginale gjatë shtatzënisë

Thuajse gjysma e të gjitha grave shtatzëna, mund të kenë njolla ose gjakderdhje vagjinale gjatë shtatzënisë, veçanërisht gjatë tremujorit të parë

Shkaqet e saj janë të shumta, disa prej të cilave janë të rënda dhe disa të tjera jo. Shkalla e rëndësisë dhe shkaqet e mundshme të gjakderdhjes, janë të ndryshme gjatë çdo tremujori.

Tremujori i parë: Në dymbëdhjetë javët e para të shtatzënisë, shumë gra kanë njolla ose gjakderdhje. Kjo e fundit mund të tregojë shumë gjëra në varësi të sasisë dhe kohëzgjatjes, nëse është e vazhdueshme apo sporadike. Mund të jetë ndonjë shenjë paralajmëruese, por në të njëjtën kohë, mund të shkaktohet edhe nga ndryshimet normale të shtatzënisë.

Në fillim të shtatzënisë, rreth një javë pasi kanë kaluar 14 ditët e fertilizimit, mund të vini re njolla ose gjakderdhje. E njohur edhe si gjakderdhja e implantimit, ajo ndodh zakonisht kur veza e fekonduar ngjitet në veshjen e mitrës. Kjo lloj gjakderdhjeje nuk zgjat shumë.

Hemorragjia në tremujorin e parë mund të jetë edhe shenjë e ndonjë aborti të mundshëm. Pjesa më e madhe e aborteve ndodhin gjatë këtij tremujori dhe më rrallë në muajt e mëvonshëm. Gjithsesi, hemorragjia nuk do të thotë se domosdoshmërisht keni përpara një abort. Gjysma e grave që kanë hemorragji gjatë tremujorit të parë, nuk përballen me abortin.

Në muajt e parë, një problem tjetër që mund të shkaktojë hemorragji dhe dhimbje, është shtatzënia ektopike, ku embrioni ngjitet jashtë mitrës, zakonisht në një nga gypat e Fallopit.

Gjatë tremujorit të parë, një shkak i pazakontë i gjakderdhjes është edhe shtatzënia molare, një gjendje e rrallë kur pas fertilizimit, në vend të fetusit, brenda mitrës krijohet një masë jonormale.

Tremujori i dytë: Ndonëse aborti është më pak i zakonshëm gjatë tremujorit të dytë, rreziku ekziston ende dhe gjakderdhja vagjinale është shenja kryesore e abortit.

Në këtë tremujor, gjakderdhja e lehtë apo e rëndë mund të jetë tregues edhe i ndonjë problemi që mund të keni me placentën, si për shembull: placenta previa – ku ajo është e vendosur shumë poshtë dhe e mbulon pjesërisht ose plotësisht qafën e mitrës; shkëputja e placentës – ku kjo e fundit fillon të shkëputet nga muri i brendshëm i mitrës. Të dyja këto raste hasen më shpesh gjatë tremujorit të tretë.

Disa nga shkaqet e tjera të hemorragjisë, janë edhe infeksioni në qafën e mitrës, irritimi i saj ose shfaqja e disa kokrrave në të, shkruan Living. Hemorragjia në qafën e mitrës nuk paraqet rrezik për foshnjën, por në qoftë se shkaktohet nga kanceri i qafës së mitrës, është e rëndësishme që diagnoza të përcaktohet sa më shpejt që të jetë e mundur.

Ka raste kur hemorragjia në qafën e mitrës, mund të jetë një shenjë që tregon se ajo hapet në mënyrë spontane dhe mund të jetë shkak për një lindje të parakohshme.

Gjatë marrëdhënieve seksuale mund të keni gjakderdhje të lehtë ose shfaqjen e disa njollave, të cilat shkaktohen nga çarja e enëve të gjakut në sipërfaqen e qafës së mitrës, gjë që nuk paraqet asnjë rrezik për shtatzëninë.

Share With:



52 Views