Danjela e ‘The Voice’ ka fituar edhe zemrën e Amelisë, Miriami zbulon reagimin e së bijës

14-vjeçarja nga Kukësi, Danjela Toçi, i bëri për vete zemrat e të gjithëve kur konkurroi në “The Voice Kids 2” jo vetëm me zërin e saj unik dhe interpretimin në skenë, por edhe me historinë e saj të jetës, prapa së cilës strukeshin jo pak probleme e vështirësi jete. Megjithatë, Danjela këtë vit konkurron në Këngën Magjike bashkë me Ardit Çunin dhe sërish ka bërë për vete me mijëra zemra me zërin e saj melodioz.

“Qaj” është jo vetëm një këngë e trishtë me një fabul të veçantë bazuar në një histori të vërtetë, por më shumë se aq, me një mesazh të madh për të gjithë ata njerëz që kanë pak ose aspak hapësira në jetë, por nuk dorëzohen para talentit të tyre.

Danjela dhe Arditi ishin sot të ftuar te “Rudina”, nga ku rrëfyen pritjen e këngës së tyre “Qaj” në publik, si edhe rrëfyen raportin që kanë me njëri-tjetrin.

Arditi zbuloi se për të krijuar tekstin e këngës së bashku me Fifin është frymëzuar nga historia e Danjelës dhe vendosi ta sjellë atë në një këngë. “Teksti i këngës tonë është shkruar nga Fifi, por ideja ka qenë e imja. Është një përjetim emocional që tregon një jetë paralele ose, si të thuash, një të tashme të Danjelës dhe një të shkuar timen. Nuk do të doja të bëja krahasime, por edhe unë e kam patur të pamundur të paguaj për muzikën dikur, por sot kam fatin të suportoj Danjelën. Është mirë që ndonjëherë të kuptojmë cili është realiteti. Boll shitëm ar, luks e makina, është mëse e mjaftueshme, kemi mjaftueshëm në treg. Është koha të vijmë me këmbë në tokë dhe të kuptojmë ku jetojmë, se në fund të fundit, as 10 për qind e popullsisë s’i ka ato lukset që shfaqen në videoklipet që shohim. Mendoj se çdo njeri ka një moment reflektimi në jetë dhe mendoj se ky ka qenë mometi i reflektimit në karrierën time”,- tha Çuni për këngën.

Ndërkohë Danjela tha se fabula e këngës është të dhurojmë sa më shumë dashuri dhe të mos shikojmë vetëm jetët tona. “Fabula e këngës është që të dhurojmë sa më shumë dashuri, të ndihmojmë njëri-tjetrin dhe të mos shikojmë vetëm jetët tona. Kënga deri tani ka patur shumë sukses dhe i falenderoj të gjithë ata që më kanë mbështetur. Nuk e kam pritur gjithë këtë sukses, por jam e lumtur që bëri bujë të madhe”,- tha Danjela.

Pas kësaj, në një videomesazh në ekran u shfaq Miriam Cani, mentorja e Danjelës në “The Voice Kids”, për t’i dhënë asaj një mesazh. Duke i shprehur përgëzimet për këngën e re në Kënga Magjike, Miriami tha se e ka pëlqyer që në momentin e parë që e ka dëgjuar, madje, siç tha ajo, edhe Ameli, vajza e saj: “Më keni emocionuar që në momentin e parë që ju kam dëgjuar dhe jo vetëm mua, por edhe Amelinë. Ajo është një superfanse e këngës suaj, e këndon çdo ditë në shtëpi”, – tha Miriami duke i uruar suksese Danjelës dhe duke e ftuar atë dhe Arditin në shtëpinë e saj pas Këngës Magjike, për të shijuar suksesin e radhës.

Share With:
Translate »
718 Views