Dëshpërimi i nënës së divorcuar: Ish-bashkëshorti nuk më ndihmon për fëmijët, shteti të më përkrahë!

Kumari dhe mashtrimet, fenomene sa të vjetra aq aktuale. Shkaqe për rritjen e divorceve dhe përshkallëzim të fenomene psikosociale të njerëzve që kanë rënë pre e tyre.

Ajo sot është një nënë e divorcuar, por pa kurrfarë mbështetje nga ish-bashkëshorti që zgjodhi bixhozin e jo familjen si strehën e tij. Kjo është dëshmia e një nëne që duke ruajtur anonimatin, shpreson për një zgjidhje për problemet e saj ekonomike në emisionin “Me zemër të hapur” të Evis Ahmeti në News24.

U martua në moshën 14-vjeçare, por bixhozi dhe mashtrimet e shumta e detyruan të divorcohej nga bashkëshorti. Një nënë e dëshpëruar nga Lezha kërkon ndihmë pasi ish-burri i saj nuk jep pensionin ushqimor për fëmijët. Historia është e trishtë dhe komplekse, por ata që vuajnë pasojat më tepër se kushdo janë fëmijët. Nëna prej vitesh i ka mbajtur vetë ata, por tashmë e ka të pamundur.

Pas divorcit gjykata i ka lënë fëmijët në kujdestarinë e gruas dhe ka caktuar pensionin ushqimor që ish-bashkëshorti duhet të japë. Ky i fundit prej dy vitesh nuk ka shlyer asnjë detyrim.

“U martova e re në moshën 14 vjeçare. Kur isha e re nuk e kuptoja rëndësinë e këtij vendimi. Ish-burri më gënjeu, ai ishte mashtrues dhe luante bixhoz, unë nuk e dija këtë fakt. Më hoqi edhe nga shkolla, nuk arrita dot të përfundoja gjimnazin. Kur u bëmë me fëmijë jeta ishte shumë më e vështirë. Ai nuk punonte dhe nuk sillte asgjë në shtëpi. Unë e kisha të vështirë të jetoja me të pasi filloi edhe të më dhunonte”, tha gruaja. Shteti nuk ia ka lehtësuar jetën kësaj nëne. Sot fëmijët janë njëri 14 vjeç dhe tjetri 10 vjeç. Ish-bashkëshorti është rimartuar dhe nuk do t’ia dijë më për familjen e parë. Gruaja e dëshpëruar kërkon ndihmë.

Në një lidhje telefonike, ish-bashkëshorti pranoi situatën si dhe premtoi përballje, por më pas refuzoi të paraqitej. Ndërsa përgjigjja që emisioni “Me Zemër të Hapur” mori nga Zyra Përmbarimore Lezhë ishte që ish-bashkëshorti i gruas nuk figuronte i punësuar.

Indiferenca e shtetit ka bërë që kjo nënë të mos gjejë asnjë zgjidhje edhe pse nën presionin mediatik, zyra përmbarimore tha se do ta rishikonte çështjen.

Share With:
Translate »
576 Views