‘E Diell’ nis me Adelina Ismailin, surpriza me imazhet e rralla përloti këngëtaren dhe publikun

Edhe pse numëron më shumë se 30 vite karrierë, Adelina Ismaili nuk i mban dot emocionet kur del para publikut të saj. Prej pothuaj 3-vjetësh, këngëtarja ka munguar edhe në televizionet shqiptare, por sot, me ‘ndërmjetësinë’ e Ervin Kurtit, sezoni i ri i “E Diell” në Top Channel, nisi pikërisht me divën e muzikës. Duke ndarë disa prej kujtimeve më të mira si artiste, por edhe eksperiencën si nënë e re, Adelina u përball edhe me një surprizë të jashtëzakonshme. Në fakt, siç tha ajo, pranoi ftesën në “E Diell” dhe bëri një rrugë të gjatë sepse besonte te programi, tek Ervini, miku i saj prej disa vitesh tashmë, por edhe sepse e kishte marrë malli për publikun shqiptar.

Por nuk ia kishte marrë mendja se, ekskluzivisht për të, madje me disa imazhe të cilat as ajo vetë nuk i kishte, do të shfaqej në ekran një video me regjistrime të saj, që nga fëmijëria e deri në koncertet e fundit.

Në videon surprizë të përgatitur nga gazetari Ervin Kurti, u shfaqën pamje nga intervista e saj me familjen, në vitin 1991, koncertet në Gjermani në vitin 1996, prapaskenat e xhirimit të klipeve apo videot humoristike që Ismaili bënte me kolegët po në atë periudhë.

Në intervistën e vitit 1997 me Silvana Braçen, Adelina, asokohe 18-vjeçare, shpjegon se për të nuk kishte rëndësi nëse njerëzit do ta pëlqenin ose jo idenë që ajo kishte në kokë, (këtu i referohemi zhveshjes së saj në skenë në këngën “Zemrën nuk ta fal” në Fest `96), sepse qëllimi i saj ishte të arrinte të bënte atë gjë që donte, përndryshe do të plaste.

Vitet treguan se publiku, jo vetëm e mbështeti, e përkrahu në çdo gjë të guximshme që bëri në skenë dhe në muzikë, por njëkohësisht nuk e harroi as kur Ismaili u tërhoq nga muzika, përkundrazi. Pamjet nga koncerti madhështor në stadiumin e Mitrovicës i realizuar në vitin 2005 ishin një tjetër kujtim që Adelina e pa për herë të parë në studion e “E Diell”.

Meqë dëshira më e madhe e Adelinës fëmijë ishte që të vinte një ditë në Shqipëri dhe të punonte videokasetën, ia doli dhe u shndërrua në idhullin e shumë shqiptarëve. Muzika e saj frymëzoi breza, stili, guximi dhe shpërthimi skenik u imituan shumë vite më vonë nga këngëtarë të tjerë që adhurim, idhull frymëzimi mbajtën për vite me radhë vajzën e talentuar nga Kosova.

Share With:
Translate »
677 Views