E trishtë/ Humbën 7 anëtarët e familjes nga tërmeti, por nuk dinë ende asgjë

Tërmeti i 26 Nëntorit shkaktoi një tragjedi në familjen Cara ku shtatë prej anëtarëve ndërruan jetë dhe mbijetuan vetëm dy prej tyre. Albert Cara humbi bashkëshorten Fatmira, dy djemtë Hasan dhe Almir, vajzën Erisa, si dhe të fejuarën e Almirit, Stela. Ndërsa kushërira e tij, Lindita Cara, e cila gjithashtu i shpëtoi tërmetit katastrofik, humbi vajzën e saj Sadajana dhe nënën Anthi. Dy familjet jetonin në të njëjtin pallat, njëra në katin e 4 dhe tjetra në katin e 5. Dy të mbijetuarit, Albert Cara dhe Lindita Cara ndodhen ende në spital, nën kujdesin mjekësor. I ftuar sot në emisionin “Historia ime”, zjarrëfikësi Arben Cara tregoi se Alberti dhe Lindita ende nuk e dinë se kanë humbur familjarët e tyre.

“Ne po mundohemi që t’i japim kurajo familjarëve që kanë shpëtuar, Albertit dhe Linditës. Deri më tani, në këto momente që po flasim ata nuk dinë asgjë, pavarësisht se e imagjinojnë nga gjithë ajo gjë që ka ndodhur, ata kuptojnë diçka sepse nuk kanë asnjë lloj kontakti, telefona s’kanë, kemi ndaluar gjithë komunikimin nga doktorët dhe nga të afërmit që ata të kontaktojnë.

Aktualisht, Alberti vazhdon të jetë në Itali. Ka bërë dy ndërhyrje kirurgjikale dhe pritet të bëhet edhe një ndërhyrje tjetër. Shpresojmë tek Zoti dhe tek doktorët që të paktën mos mbetet i paralizuar, të mbetet njeri normal në jetën e përditshme, pas gjithë asaj që ka kaluar. Lindita është tek Spitali i Traumës, ajo është mirë. Ka pak probleme me krahun e djathtë, por që besoj ajo do ta kalojë, nuk ka për të pasur probleme, kemi shumë shpresë.

Ata kërkojnë, ne ju themi që ata janë të dëmtuar, ndodhen në spitale, po marrin kurimin e duhur dhe nuk e dimë as vetë, se kush do të jetë personi, saktësisht kush do ta transmetojë këtë lloj lajmi të zi. Është diçka që askush nuk e merr këtë barrë përsipër. Ju vetë e kuptoni që të jesh në një situatë të tillë, të humbasësh gjithë familjen, as vetë nuk e dimë kush do jetë personi që do e transmetojë, do e japë këtë lajm të tillë”, tregoi Arben Cara.

Share With:
Translate »
518 Views