Emocionuese/ Vogëlushja 10-vjeçare shkruan një letër për BENIN e Kiço Blushit

Ditën e djeshme u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare skenaristi dhe shkrimtari i madh Kiço Blushi duke lënë pas shumë dhimbje e pikëllim por edhe vepra që do jetojnë përgjithmonë.
Gazetarja Alda Bardhyli ndan letrën që një vajzë 10 vjeçare e quajtur Sibora ka shkruar e frymëzuar nga ‘Beni ecën vetë’ i Kiço Blushit.
Nga Alda Bardhyli:
Sibora një vajzë e bukur 10-vjecare, që pëlqen leximin, erdhi disa kohë më parë në zyrën time dhe më kërkoi një libër për të lexuar. Mbi tryezë gjeta një botim të vjetër të “Beni ecën vetë”, blerë në librat që shiten rrugës dhe ia dhashë duke i kërkuar që pas leximit të shkruante në një letër ndjesitë e saj për librin.
Vetëm një javë më pas, Sibora do të vijë të më sjellë librin bashkë me një letër, të cilën po e ndaj me ju, për të treguar se letërsia e mirë nuk ka kohë. Sesi një libër për fëmijë i shkruar në vitin 1975, në një Shqipëri totalitare, arrin të komunikojë e zgjojë të njëjtat emocione dhe për një lexues të shekullit të XXI.
Sot kur autori i këtij libri Kiço Blushi, i është bashkuar qiejve, ju ftoj të lexoni letrën e Siborës, që është vetëm një nga letrat që dhjetëra lexues që lexojnë këtë libër do donin të shkruanin!
Letra
“Beni ecën vetë” është një libër që më ka pëlqyer shumë pasi tregon për jetën e fëmijëve në kooperativë. Autori Kiço Blushi ka bërë një prekje të bukur të realitetit dhe fantazisë për të treguar kohën e atëhershme. Kur lexoj këtë libër ndonjëherë ndjehem sikur jam në vendin e Benit, pasi edhe unë nuk jam përshtatur me fshatin për herë të parë. Situatat më qesharake janë kur Beni mendon se ka bërë një veprim burrëror e situata i ikën nga duart… Mënyra sesi trajtohen ngjarjet është shumë e këndshme dhe gazmore. Historia e këtij libri ka qenë shumë e bukur dhe argëtuese. Mendoj se ky libër duhet të lexohet nga të gjithë fëmijët për të njohur realitetin e dikurshëm.
Gjithashtu ky libër mund tu mësoj fëmijëve se jeta në fshat është shumë e bukur. Pjesa që më bëri më shumë përshtypje është momenti kur fëmijët shkojnë të flenë në pyll. Arsyeja pse më bëri përshtypje është se edhe unë mendoj se fëmijët e vegjël nuk janë të aftë të kujdesen për veten në rrethana të tilla, por nga ana tjetër është diçka pozitive të mësohesh me natyrën.
Beni ka qenë një fëmijë i llastuar që mamaja e donte shumë, e duke e llastuar aq shumë ajo e bëri Benin të paaftë në disa situata. Dhe ky është një mësim edhe për prindërit pasi ndoshta me paaftësinë nis dhe bullizmi ë ndikon për keq në psikologjinë e fëmijëve.
Ndërthurja e rasteve qesharake dhe historisë e bënë çdo libër më argëtues. Kohët e atëhershme mund ti jepnin më shumë mundësi për aventura fëmijëve sepse nuk besoj që tani nënat i lënë fëmijët të ikin në pyll apo gjëra të tjera si këto. Ndër autorët e mi të preferuar si Zhyl Verni, Roalf Dalfh dhe David Ëilliams është dhe Kiço Blushi që me librin e tij i bën fëmijët të ndihen më të fortë dhe i argëton me historinë e jashtëzakonshme të “Beni ecën vetë”.
Sibora Frashni

Share With:



191 Views