Eva Murati: Unë nuk jam nusja e Jozefina Topallit sepse…

Moderatorja e njohur Eva Murati është ndër personazhet më të pëlqyer të ekranit. Nga njëri program në tjetrin, nga njëri format në tjetrin, Eva ka treguar siguri televizive për një profil që ajo e ka dashuruar dhe adhuruar qysh fëmijë. Megjithëse ka studiuar drejtësi, është ende herët për ta parë veten si një avokate, prokurore apo çdo profil që lidhet me të. Modeste, por e dashuruar me profesionin e saj, Eva nuk mendon se drejtësia do të jetë një diplomë për ta pasur në sirtar, por, në një të ardhme, edhe më shumë se kaq.

Bota e televizionit është si një magnet që nuk të lë kurrë të largohesh, përkundrazi të tërheq pas vetes gjithmonë e më shumë. Pasi tregoi se është e prirur për të qenë në ekran, Eva e sfidoi veten edhe në një profil tjetër – në aktrim. “Njeriu me Këmishë” është projekti i saj më i ri, i cili e prezanton Evën në një profil tjetër, ndryshe nga ajo që është në realitet. Është pikërisht ky roli që ajo ka dëshirë të luajë në kinema – ai që e vendos te të tjera sfida, që e nxjerr nga vetja për të treguar edhe aftësitë e saj për t’u përshtatur.

Megjithatë, moderatorja bukuroshe është vënë gjithmonë në krye të titujve mediatikë edhe për lidhjen e saj të gjatë me Genar Topallin, djalin e ish-kryetares së Parlamentit, Jozefina Topalli. Megjithëse asnjëherë nuk i kanë pëlqyer titujt që vënë në fokus jetën e saj private, Eva e ka pasur të pamundur t’i shmangë. Siç është e pamundur të shmanget interesi publik për jetën private të personazheve të njohur.

Sot, e ftuar në “Pasdite në Top Channel”, Eva nuk i shpëtoi dot kësaj pyetjeje, por gjeti hapësirë për të treguar edhe arsyen pse nuk ka dëshirë më të flasë për raportin e saj me Genarin. Pas pyetjes së Julit si ia del me gjithë këto angazhime që ka në një moshë të re, edhe të gjejë kohë për partnerin, Eva tha: “Unë kam vendosur të mos flas më për këtë gjë. Është diskutuar aq shumë kjo temë, por unë nuk jam pjesë e atyre vajzave që frymëzojnë portalet me historitë e tyre të dashurisë. Unë po përpiqem shumë në këtë që bëj dhe nuk dua të bëhem e njohur për jetën private, por për aftësitë e mia …” – tha Eva këmbëngulëse për këtë pjesë.

Megjithatë, pyetjes si e gjen kohën, i kthen një përgjigje “Përpiqem…” – duke dashur ta mbyllë këtë temë.

Ngacmimit të mëtejshëm të Julit për etiketimin “nusja e Jozefina Topallit”, moderatorja i përgjigjet: “Unë nuk jam nusja, sepse nuk kam unazë në gisht…” duke lënë të kuptohet se ajo dhe Genari janë të dashur. Por nuk do ta vijojë më tej.

Ndërsa planet për martesë nuk janë fare në horizont: “Unë jam vetëm 22 vjeç dhe martesën e mendoj shumë, shumë larg…” Edhe për fëmijë gjithashtu.

Share With:
Translate »
1796 Views