Fëmijët emigrantë, 530 raste në një muaj. Prindërit i “braktisin” në Perëndim

Shqipëria vazhdon të ushtrojë masa të forta në kufi mbi udhëtimin e fëmijëve, të cilët edhe nëse lëshohet një prokurorë përfaqësimi nuk mund të largohen jashtë vendit të pashoqëruar nga njëri prej prindërve, apo rrethi i ngushtë familjar.

Ky urdhër është në fuqi pa afat dhe po zbatohet që prej 1 gushtit të vitit 2017, atëherë kur vendet e Bashkimit Europian ngritën shqetësimin për fenomenin e azilkërkimit nga minorenët shqiptarë dhe braktisjen e tyre në qendrat e kujdesit social, pasi ishin deklaruar si të braktisur nga familja.

Në muajin maj, “Eurostat” numëroi 530 raste të tilla.

Braktisja e të miturve jashtë Shqipërisë vazhdon të jetë një fenomen shqetësues për autoritetet e hetimit. E tillë është edhe çështja e një vajze, e cila është braktisur jashtë vendit, ndërkohë që vendbanimin e ka në Dibër. Në gjykim është babai i saj, i cili e ka lënë vajzën në Belgjikë, pavarësisht se në një deklaratë ai pretendon se e kishte dorëzuar të bijën jashtë Shqipërisë për një kurim më të specializuar.

Për këtë fakt, Andrea Runa po gjykohet në mungesë për braktisjen e të bijës 13-vjeçare, pasi e kishte pajisur atë me pasaportë dhe e kishte nxjerrë nga Shqipëria. Por, ndërsa ai u kthye pa të në shtëpi, Prokuroria thotë se e mitura vazhdoi udhëtimin drejt Anglisë, ku është pritur nga të njohur të familjes.

Ngjashëm si rasti i Andrea Runës, Policia e Shtetit ka referuar për hetime të mëtejshme në Prokurori 83 baballarë, që të gjithë nën gjykim për braktisje të fëmijëve. Edhe pse shumica e tyre deklarojnë se i lanë fëmijët për një jetë më të mirë, sipas Kodit Penal, secili prej tyre rrezikon gjobë deri në 3 vite burgim.

Share With:



222 Views