Greis Petroviç prezanton për herë të parë vajzën e saj me publikun

“Ndjesi shumë e bukur, profesioni më i bukur…” duket si shprehje klishe e të gjitha nënave të reja që sjellin në jetë fëmijën e tyre të parë, por, në të vërtetë ndjesitë nuk mund të jenë kurrë të njëjta. Edhe themeluesja e “Greis Models”, Greis Petroviç, vetëm tani e kupton sesa e bukur është të jesh nënë dhe sa e papërsëritshme është kjo eksperiencë. Vetëm pesë muaj pas ardhjes në jetë të Emel, ajo e prezantoi pasditen e sotme me publikun dhe jo pa qëllim. Emel, emri të cilin vogëlushes ia gjeti zonja Tefta, vjehrra e Greis, sot ishte veshur e zbukuruar me ngjyrat e flamurit dhe, për çudinë e të gjithëve qëndroi pa bërë shumë naze edhe në studion e Rudinës – aty ku fëmijët ndihen gjithmonë komodë, jo vetëm për hapësirën që kanë për t’i ardhur rreth e qark studios, por edhe për mundësinë që u jepet ta shohin veten nga ekrani.

“Muajt më të bukur, është një lumturi e papërshkrueshme, nuk mund të them shumë të lodhshme, ose mbase ngaqë isha përgatitur shpirtërisht”, – thotë Greis për muaj e parë me të bijën. Meqenëse ka një mbesë 5-vjeçare, e ndiente veten pak më të përgatitur në fushën e mëmësisë, madje për shkak të saj, shumë njerëz e dinin se Greis po bëhej nënë për herë të dytë: “Kishte nga ata që më uronin për së dyti, që e dinin se unë e kisha një vajzë”, – tregon Greis me të qeshur.

Emel është një vajzë e mbarë, edhe tani që e ëma është rikthyer në punë dhe nuk e ndan të gjithë kohën me vogëlushen. Greis tregon se është me fat që ka vjehrrën dhe mamin e saj që e ndihmojnë me vajzën dhe që ia çojnë çdo ditë te puna, në mënyrë që edhe e vogla të mos e ndiejë shumë mungesën e mamit, edhe kur i ka shkuar ora për të pirë.

Me rastin e festave të Nëntorit, Greis i ka përgatitur Emelit edhe një set të veçantë fotografish, me simbolet kombëtare, për të cilin tregon se do të mbetet një kujtim mjaft i bukur dhe i papërsëritshëm.

Share With:



375 Views