Historia e jashtëzakonshme: Gruaja bën lindje të parakohshme gjatë lëkundjeve të post-tërmetit

Vendi ynë është duke përjetuar ditët më të vështira që pas tërmetit të 26 Nëntorit. Në programin “Historia ime” në Tv Klan është sjellë ditën e sotme një histori njerëzore, jete dhe shprese në mes të momenteve më tragjike që kaluam natën e tërmetit të fuqishëm. Bëhet fjalë për historinë e një gruaje që solli në jetë djalin e saj, në mes të lëkundjeve të tërmeteve të njëpasnjëshme që goditën vendin tonë.

Gazetarja e “Historia ime” ka udhëtuar drejt fshatit Radë që është shumë pranë Gjirit të Lalëzit, në familjen Sheraj, ku zonja Vjollca tregon situatën e vështirë që kanë kaluar natën e tërmetit.

Sa jam bërë kaq, nuk e kam parë këtë goditje kaq të madhe, kështu nuk kam parë. Kjo ishte tragjedia e madhe kësaj radhe. Kemi qenë duke dalë, nusja ishte shtatzënë, ishte me kalamajtë. S’di si ta përshkruaj, e paimagjinueshme. Një situatë shumë e vështirë, kemi filluar të gjithë duke qarë. Fëmijët bërtisnin, edhe ne bashkë me fëmijët, por prapë unë thashë: Ju keqen nëna mos u mërzisni. U mblodhëm kokë më kokë dolëm përjashta, na futi djali i madh në makinë“.

Zonja Vjollca së bashku me familjen e saj prej 4 ditësh janë duke jetuar në çadër. Por në mes të dhimbjes, familja ka përjetuar një gëzim të madh, sepse nusja e saj ka lindur më 28 Nëntor, dy ditë pas tërmetit të fuqishëm.

Mamaja e vogëlushit të vogël ka lindur para kohe për shkak të frikës dhe tmerrit të përjetuar: “Akoma se kam marrë veten, shumë tmerr”.

Zonja Vjollca thotë se nusja e saj akoma nuk e kalon dot tmerrin e përjetuar atë natë.

E ka përjetuar shumë keq nusja, se ka pasur dy gocat në krevat, edhe pse shtatzënë donte të mbronte gocat. Nuk është në gjendje, se harron kurrë këtë. Është një tmerr i paparë.. Kur e kujtojmë, O Zot… lutem: Faleminderit O Zot që na shpëtove. Një natë shumë e vështirë që s’kam për ta harruar gjithë jetën. Më rrinte mendja edhe tek nusja, edhe tek fëmija se lindi para kohe. Ky djali i vogël që lindi në këtë situatë të vështirë, të ketë fat dhe mirësi për këtë familjen time”.

Share With:
Translate »
504 Views