Hueyda El Saied për partnerin e ri: “Gabrieli zgjodhi vetë ta thërriste babi”

Ndarja me babain e djalit të saj, Michael Tamisier, nuk ka qenë aspak e lehtë për Hueyda El Saied. Madje, për tradhtinë e tij ajo ka rrëfyer edhe në mediat shqiptare, ashtu si edhe për nënvlerësimin dhe përçmimin që Tamisier tregonte ndaj saj herë pas here. Megjithatë, tani gjithçka ka mbetur pas krahëve. Prej pothuaj 2-vjetësh, Hueyda është në një lidhje të re me një njeri që e çmon atë dhe të birin, i mbron ata të dy, por njëkohësisht bën gjithçka për t’i pasur pranë…

Pas 4-vjetësh, pasditen e sotme, Hueyda ishte në studion e “Rudina”, në Tv Klan, bashkë me Gabrielin, i cili, nga hera e fundit kur ishte në këtë studio, 4 vjet më parë, është bërë me kaçurrela dhe një djalë më çapkën, më i gjallë dhe një poliglot i vërtetë… nëse e pyet frëngjisht, ai ta kthen në atë gjuhë, nëse e pyet në luksemburgisht apo gjermanisht të përgjigjet ashtu, por edhe nëse i flet shqip, përgjigjen e merr në shqip.

I pari dhe i vetmi njeri i afërt me Hueydën, megjithëse fëmijë, Gabrieli ndjeu se diçka me mamin e tij nuk shkonte: “Nga situata që u krijua para dy vjetësh, kur qaja, Gabrieli më fshinte lotët dhe më thoshte “mami mos qaj…”  Ndofta edhe kjo ka qenë ndër arsyet (veç faktit që është im bir), që na lidhi më tepër bashkë. Ishte ndër njerëzit e parë që ka përjetuar dhimbjen tonë. Mendoni, një fëmijë 2 vjeç që mundet të fshijë lotët…” – tregoi e emocionuar Hueyda.

Ajo periudhë ishte shumë delikate për të dy, por tashmë është hedhur pas krahëve. Siç rrëfen ish-balerina e njohur, tani është një person tjetër në jetën e tyre: “Tani kemi një person që jeton me ne, një person që na mbron, na inkurajon dhe na do shumë. Gabrieli, pa i thënë unë, ka vendosur vetë ta thërrasë babi…”

Pasi e pyet Gabrielin se çfarë bën ai me babin, i biri tregon se luan me të, dëgjon muzikë rock, dëgjon ‘Rolling Stone’, pikturon e shumë gjëra të tjera të bukura.

Njohja me Thierry Grosjean ishte e hershme. Ata njiheshin nga shoqëri e përbashkët prej 6-vjetësh, vetëm se periudha pas divorcit, për Hueydën u bë e vështirë, ndaj iu desh që t’i kërkonte ndihmë:

Unë e njoh prej 6-vjetësh, kemi një vit e 8 muaj bashkë. Thierry, në fillim, vinte shihte ekspozitat e mia. Para dy vjetësh, kisha një vit që isha ndarë me babin e Gabrielit, i shkruaj Thierry-t dhe i them se po kërkoja punë. Nëse do kesh kohë, të pimë një kafe bashkë… E lëmë që të pimë një kafe bashkë, më pyeti çfarë kishte ndodhur, pse je ndarë, i tregova gjërat më të këqija… Në fund, i thashë ‘ika, se kam lënë Gabrielin me dadon’, ndërsa ai më tha se ‘kam 5 vjet që jam i dashuruar më ty’

Në fakt, ajo nuk ishte periudha më e mirë për Hueydën. Pasi e falënderon për interesin që një njeri si ai tregonte për të, i tha se nuk ishte ky momenti, ajo nuk ishte gati.

Por gjërat rrodhën natyrshëm. Dalëngadalë, Thierry u bë si një baba për Gabrielin dhe shumë i dashur me mamin e tij: “Kanë pasur që në fillim një marrëdhënie shumë të mirë, Thierry i mëson shumë gjëra, bën çdo gjë që unë nuk mund ta bëj, luan futboll me të, dalin bashkë, jam shumë e lumtur nga kjo marrëdhënie e Gabrielit dhe Thierry-t. Gabrieli ka vendosur vetë që ta thërrasë babi, kështu që unë nuk kundërshtova…”

Share With:
Translate »
868 Views