I zhdukur prej një muaji, vogëlushi gjendet i vdekur në makinën e partneres së babait

Trupi i pajetë i një djali të zhdukur është gjetur në bagazhin e një makine të drejtuar nga partnerja e babait të tij, thonë zyrtarët në Spanjë. Zhdukja e 8- vjeçarit Gabriel Cruz në krahinën jugore të Almerisë në fund të shkurtit  mori vëmendjen e mbarë opinionit spanjoll. Pasi lajmi për zhdukjen e të miturit u bë viral,  nisi një kërkim masiv në të cilin u angazhuan mbi 4.000 policë dhe vullnetarë. Policia ka arrestuar partneren e babait të viktimës. “Këtë mëngjes, Garda Civile ndaloi shoqëruesen e babait të Gabriel ndërsa transportonte kufomën e djaloshit në bagazhin e një makine,” tha për agjencinë e lajmeve AFP, Ministri i Brendshëm Juan Ignacio Zoido. Gabrieli u zhduk më 27 shkurt ndërsa qëndronte në shtëpinë e gjyshes së tij në fshatin Las Hortichuelas në komunën e Níjar. Ai duhej të shkonte tek një fqinj por nuk u kthye më kurrë. Më 3 mars, babai i djalit Angel Cruz dhe partnerja e tij tashmë e arrestuar, Ana Julia Quezada, gjetën një bluzë me ADN’në e tij 10 km nga Nijari. Mediat spanjolle raportojnë se policia ka monitoruar znj. Quezada që nga ajo kohë. Në një tubim të ndjekur nga mijëra mbështetës të premten, nëna dhe babai i Gabriel thanë se kishin “më shumë shpresë se kurrë” për të gjetur djalin e tyre. Një imazh i një peshku blu – i frymëzuar nga dashuria e Gabriel për detin – u nda në mediat sociale me hashtagun #TodosSomosGabriel, që do të thotë “ne të gjithë jemi Gabriel”, transmeton oranews. Ministri i Brendshëm spanjoll përmes një postimi në twitter të dielën tha se kishte folur me prindërit e djalit të mitur, të cilëve u kishte përcjellë “dhimbjen dhe shokun e thellë të qeverisë dhe të të gjithë spanjollëve”. Ministri i Brendshëm i bëri thirrje publikut të respektojë hetimin e policisë, duke mos përhapur raporte mashtrimi për rastin. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy gjithashtu përcolli ngushëllimet e tij, duke thënë: “Unë ndaj me të gjithë spanjollët dhimbjen e humbjes së Gabriel.”

Share With:



323 Views