Jam një nënë e shqetësuar, kur duhet t’ia bëj fëmijës vaksinën e 1 vjetorit?

Mendoj se nuk jam e vetmja mama e shqetësuar në këto momente…Ashtu si edhe unë, shumë syresh të tjera kanë të njëjtën ndjesi të papërcaktuar! Frikë, mosbindje, teza dhe hipoteza të dëgjuara lart e poshtë, gojëdhëna të shpikura sa ndonjëherë tingëllojnë si legjenda urbane, por që dukshëm më ndikojnë në vendimin tim: t’ja bëjë në kohë apo t’ja shtyjë vajzën sime vaksinën e famshme të njohur si MMR, apo vaksina e 1 vjetorit.

Ime bijë, mbushi 1 vjeç jo më larg se një javë me parë, dhe në po atë ditë vendosa që të ndiqja konsultën e radhës në pediatrinë e lagjes. Të gjitha matjet dhe vizita shkuan për mrekulli, por dyshimi i fortë më lindi bashkë me pyetjen që prej kohësh ia drejtoj pediatres së fëmijës sim: kur duhet t’a bëjë vajza ime këtë vaksinë?! Tani në kohë, sapo ka mbushur moshën, apo ta shtyjë siç kanë bërë pjesa dërrmuese e shoqeve të mia, që janë bërë mama rishtazi!

Të jem e sinqertë, pediatria më bindi me të gjitha argumentat e saj!

Vaksina trivalente, për çfarë shërben ajo?

Kjo nuk është një vaksinë që duhet bërë në mënyrë të detyruar, por Ministria e Shëndetësisë e këshillon dhe madje e ofron falas për fëmijët në çdo qendër shëndetësore përkatëse. Është e rëndësishme që fëmija të marrë këtë vaksinë sepse ai duhet të mbrohet nga sëmundja e fruthit, shytave dhe rubeolës.

Fruthi: është një sëmundje infektive që prek sistemin e frymëmarrjes, e cila mund të shkaktojë komplikacione si: polmoniti dhe encefaliti.

Shytat: shkaktohet nga një virus që prek gjendrat e pështymës që ndodhen poshtë veshëve. Kjo sëmundje në rastet më të rënda mund të shkaktojë probleme me dëgjimin, inflamacione në pankreas si edhe në testikuj.

Rubeola: prek zakonisht moshën shkollore. Shoqërohet me temperaturë të lartë dhe njolla. Mbroni fëmijën nga këto sëmundje!

Të thëna kështu, isha gati që menjëherë dozën e parë të injeksionit të MMR-së, ta bëja aty në moment! Vizita psikomotorike e sime bije, më vërtetoi edhe njëherë faktin se ajo është një fëmijë i shëndetshëm, me të gjitha parametrat optimal të zhvillimit dhe sjelljes, dhe si për të ma vërtetuar në sy këtë gjë, mjekja i vendosi disa këngë për fëmijë në Youtube, dhe vajza ime menjëherë dalloi në to kafshët, e nisi të imitojë ato, lopën, qenin, macen, etj. Madje, pediatrja shkoi më tej duke i dhënë një stilolaps në dorë,dhe një letër të bardhë para, dhe vajza ime nisi të bëjë zhgarravina në të. Të gjitha këto elementë, ishin mjaftueshëm bindës që edhe njëherë pediatrja të këmbëngulte që unë t’ja bëjë në kohë vaksinën e MMR-së, maksimumi me një javë të mundshme vonesë.

As këto arsye nuk më bindën! Nuk reshta së shkruari përditë mesazhe mikeshave të mia, e telefonata me kushërira që kishin përjetuar të njëjtën ndjesi si unë pak muaj më parë. Rezultati? Të gjitha ua kishin shtyrë fëmijëve këtë vaksinë. “Unë do ia bëj vitin tjetër”, më tha menjëherë një mikesha ime, djali i së cilës ka lindur në një kohë me vajzën time.

Por, ku dhe kur duhet bërë kjo vaksinë?

Vaksina trivalente mund të bëhet pranë çdo qëndre shëndetësore, por edhe në spitalet private përkatëse. Kjo është një vaksinë që merret e ndarë në dy doza, të cilat injektohen përkatësisht në moshën 1 dhe 5 vjeçare tek fëmija. Në disa raste nënat preferojnë t’ja bëjnë fëmijës këtë vaksinë në periudhën 12-15 mujore si edhe 5-6 vjeçare. Në rastet më të veçanta, kur mjeku e shikon të domosdoshme marrjen e dozës së dytë, kërkon të bëhet më herët injektimi, por pa tejkaluar limitin 28 ditor nga marrja e dozës së parë.

Frika se kjo vaksinë shkakton autizëm është shkaku parësor se pse mama si unë e vonojnë vendimin e bërjes në kohë të MMR-së, sapo fëmija mbush 1 vjeç.  Këto teori janë hedhur poshtë vitet e fundit pas zbulimit nga shkencëtarët se fëmijët e prekur nga sëmundja e autizmit kishin sasi të madhe mërkuri në trup, duke hedhur hipoteza se vaksina që bëhet në moshën 1 vjeç, MMR është një faktor ndikues pasi ka përmbajtje mërkuri. E në mes të këtyre dyshimeve, specialistja e ISHP-së shprehet se nga studimet e fundit në këtë drejtim nuk është faktuar që kjo vaksinë lidhet me autizëm.

“Një nga studimet më të rëndësishme i kryer në vitin 2015 që vëzhgoi fëmijët me autizëm dhe vëllezërit dhe motrat e tyre, doli në konkluzionin se vaksina s’kishte lidhje me autizmin. Shumë institucione ndërkombëtare siç është edhe Instituti amerikan i Mjekësisë konfirmojnë të njëjtën gjë”!

Konkluzioni? Ndoshta, do të vendos edhe unë ta bëjë këtë vaksinë, jo aq larg sa mikeshat e mia, por të paktën me një ose dy muaj vonesë! Gjithsesi, jam brenda afatit të përcaktuar nga Ministria e Shëndetësisë.

Share With:
Translate »
1408 Views