“Jam unë që s’di të sillem apo pushimet me fëmijë të vegjël janë thjesht NJË TMERR”, letra e mamasë së re nga Tirana
Kur u bëra nënë para 4 vitesh e gjysmë, 2 vitet e para nuk kemi bërë pushime familjare në det me përjashtim të ndonjë të diele jo shumë larg Tiranës. Kisha frikë nga djegiet, temperatura, nga virozat, nga ndonjë krizë frymëmarrjeje, nga shërbimi shëndetësor në jug dhe zgjodha të mos i hyj kësaj historie. Me ardhjen në jetë të vajzës së dytë m’u larguan frikërat edhe për të madhen. Ah, se harrova t’ju prezantoj me vajzat e mia të cilat i thërras me përkëdheli Pegi&Pogu, njëra katër vjeç e gjysmë dhe tjetra për pak mbush dy. E meqë që kur jemi bërë prindër nuk kishim bërë asnjëherë pushime familjare “për së mbari”, këtë vit i mora me shumë qejf.
Vendosëm të shkonim në Borsh, rezervuam një hotel dhe erdhi momenti i përgatitjes së valixheve. Më saktë i thasëve, se nuk kishte valixhe që merrte përsipër bagazhet tona. Rroba të holla, rroba dimri, peshqirë, spray kundra mushkonjave, aerosol, anti-inflamatorë, kremra, lodra plazhi, arushin me të cilin fle Pegi natën dhe karrigen ku Pogu ushqehet sepse përndryshe nuk pranon ta fusë në gojë supën. E kisha parasysh shprehinë e fytyrës së tim shoqi kur t’i zbriste tek makina dhe frazat “10 ditë janë të shkretat”, “do na rrëzosh amortizatorët”, etj., etj, megjithatë vazhdoja të fusja gjëra nëpër çanta dhe pas meje edhe vajzat, ç’t’iu kapte dora nëpër shtëpi.
Dhe sapo mbyllja zinxhirët t’i sistemoja çantat në cep të dhomës, më merr mami në telefon të më thoshte që para se të niseshim t’i binim nga ‘Vasil Shanto’ të na nxirrte dy vazo me turshi dhe dy vazo reçel qershie se “Ç’do hanë vajzat në mëngjes”? Nejse…U nisëm. Edhe pse kishim marrë me vete gjysmën e shtëpisë gjatë gjithë rrugës kisha ndjesinë sikur kisha harruar diçka. E megjithatë kishim harruar dritën e gjumit dhe këpucët me vrima të plazhit të Pegit që i blemë sa frëngu pulën kur mbërritëm. Dita e parë në plazh. Unë mbaja vajzat për dore dhe njëra qante se i kishim harruar kamardaren me rosë e tjetra thërriste sa ç’kishte në kokë ‘dua akullore’.
Im shoq dukej si një nga ata tipat që thërrasin në plazh: “Lodra plazhi, kamardare, ujë të ftohtë, letra bixhozi”. Me pak fjalë kjo do të ishte panorama familjare edhe e 9 mëngjeseve në vazhdim. Të mos flasim për momentet kur i fusnim në det. Nëse të voglës i futej ujë i kripur në gojë qante sa dëgjohej deri në Qeparo dhe e madhja duke e ditur shumë mirë këtë dobësi të së motrës, e bënte me shumë kënaqësi, rregullisht këtë veprim.
Pastaj unë hahesha dhëmbë për dhëmbë me të madhen sikur të ishim një moshë dhe im shoq përpiqej të vinte në gjumë Pogun se vetëm duke fjetur mund të pushonte së qari. Në fund zihesha me bashkëshortin pas frazës ‘Vetëm ne na dëgjon të bëjmë kështu’.
Darkave, ok, vajzat ishin në humor dhe na lehtësonin edhe ne nga ngarkesat e ditës. Vetëm se duhet të nxitonim për në dush se mbaronte uji i ngrohtë i paneleve diellore dhe Pogut i filloi një kollë nga uji i ftohtë. Dhe kështu kaluan 10 ditë mes të qarave tekanjoze, gjumit të katërt në një krevat, protestave për të mos qëndruar asnjë minutë në hije dhe zënkave bashkëshortore me intervale të rregullta. Ndoshta jam tip që ankohem shumë, por në pushimet e mia s’pashë asgjë të përbashkët me ato të mamave si Chiara Ferragni, Egreis Gjegjani, etj. Për të mos folur për kthimin. 10 ditë të tjera për të larë rrobat, për të vënë shtëpinë në terezi dhe për të rikthyer vajzat në regjimin e shkatërruar komplet. Tani më duhen një palë pushime pas pushimeve, prandaj mama të dashura më shuani një kuriozitet: “Jam unë që s’di të organizoj dhe shijoj pushimet, apo pushimet me fëmijë të vegjël janë thjesht një sipërmarrje E LODHSHME?”