Jeni duke planifikuar një shtatzëni? Ja multivitaminat që duhet të merrni 3 muaj para në mënyrë që çdo gjë të shkojë mbarë

Gjatë kohës që përgatiteni për të mbetur shtatzënë, këshilla e parë që mund t’ju japin, është të filloni të merrni multivitaminat. Ndoshta do të pyesni veten, nëse është vërtet e rëndësishme kjo rutinë e përditshme, por ju sigurojmë se ka shumë rëndësi! Këto multivitamina ju ndihmojnë që të merrni sasitë e duhura të acidit folik, kalciumit dhe hekurit, lëndë ushqyese të cilat janë shumë të rëndësishme gjatë periudhës së shtatzënisë. Rekomandohet që ato të fillohen të paktën tre muaj para se të mbeteni shtatzënë.

Acidi folik ndihmon në parandalimin e defekteve në tubin nervor, të cilat janë anomali serioze që shfaqen në tru dhe në palcën kurrizore. Tubi nervor i një fetusi, nga i cili krijohet truri dhe palca kurrizore, zhvillohet gjatë muajit të parë të shtatzënisë. Në këtë periudhë kritike, ndoshta nuk jeni ende në dijeni se prisni një fëmijë.

Kalciumi forcon kockat dhe dhëmbët e nënës dhe të fëmijës, si dhe ndihmon që sistemi i qarkullimit të gjakut, ai muskulor dhe nervor të funksionojnë në mënyrë normale.

Hekuri ndihmon në zhvillimin e qelizave të gjakut dhe muskujve, si te nëna, ashtu edhe te fetusi. Ai ndihmon në parandalimin e anemisë, e cila shkaktohet nga mungesa e rruazave të kuqe të gjakut.

Sipas disa studimeve, multivitaminat ulin ndjeshëm rrezikun e lindjes së foshnjës nën peshë. Këto multivitamina mund të gjenden në të gjitha farmacitë, por disa prej tyre mund të blihen vetëm me recetën e mjekut, i cili ose ju rekomandon një markë të caktuar, ose jua lë juve në dorë zgjedhjen e tyre.

Nëse multivitaminat ju shkaktojnë të përziera, mundohuni t’i pini para se të flini ose pasi të keni ngrënë diçka. Të përzierat mund t’ju largohen nëse përtypni çamçakëz ose fusni në gojë ndonjë karamele. Nëse multivitaminat ju shkaktojnë kapsllëk, mundohuni të pini sa më shumë ujë, të konsumoni sa më shumë ushqime të pasura me fibra dhe të merreni me aktivitet fizik. Për çdo rast, mund të pyesni mjekun për përdorimin e barnave që ndihmojnë defekimin (jashtëqitjen). Nëse këto këshilla nuk ju ndihmojnë shumë, mundohuni të gjeni mënyra të tjera më të frytshme. Ndoshta mund të keni rezultate më të mira, nëse ndërroni markën e multivitaminave, apo nëse i merrni të ndarë acidin folik, kalciumin dhe hekurin.

Share With:
Translate »
529 Views