“Jeta ka edhe gjëra të çmuara si familja”

Alket Arapaj dhe Ervilma Seferaj ishin prindër të një vajze të mitur. Ata jetonin në një shtëpi pranë shkollës “Bajram Curri” në Allias të kryeqytetit dhe sipas fqinjëve, ata nuk dihet të kishin pasur konflikte mes tyre.

Ishte ora 06:00 e mëngjesit të së martës, kur 44-vjeçari Alket Arapaj, punonjës i Gardës së Republikës qëlloi për vdekje bashkëshorten e tij 36-vjeçare. Ai e vrau bashkëshorten me dy plumba, ndërkohë që në shtëpi ndodhej edhe vajza e tyre e mitur.

Dyshimet e para janë se ngjarja ka ardhur për shkaqe xhelozie, megjithatë kjo mbetet ende për t’u konfirmuar.

Në një vështrim të parë në profilin e tij në Facebook, 44-vjeçari Arapaj e përshkruan veten si një njeri “të sinqertë, këmbëngulës përtej durimit, i integruar tej mase, i thjeshtë e kokëlartë”.

Në fotot e shumta të tij mund të veçohet edhe një imazh, ku Arapaj shfaqet krah bashkëshortes dhe vajzës së tyre. Pikërisht këtë imazh, autori i vrasjes së 36-vjeçares e përshkruan me fjalët: “Jeta ka edhe gjëra të çmuara si familja”.

Familja Arapaj ishin besimtarë myslimanë dhe 36-vjeçarja ishte e mbuluar me shami.

Share With:
Translate »
1196 Views