“Jeto për Rebekën, për mua, për ne”, mesazhi prekës i vajzës për stilisten

Një histori e dhimbshme dhe plot kurajo çeli puntatën e radhës të programit “Dua të të bëj të lumtur”. Historia e Rebekës, Xheraldinës dhe Deborës na përcolli emocione të forta dhe na bëri të kuptojmë se jeta është e shkurtër dhe çdo moment duhet jetuar sikur të ishte i fundit.

Debora kishte ftuar mamanë e saj, stilisten e njohur nga Kosova, Xheraldinën, për t’i kërkuar asaj që të mos hiqte dorë nga të jetuarit. Arbana na rrëfeu historinë e Rebekës dhe na tregoi se Xheraldina si një nënë e fortë nuk ishte dorëzuar përballë çdo vështirësie që jeta i kishte vendosur përpara.

Xheraldina deklaroi se gjithmonë e kishte pritur një ftesë të tillë dhe se personi që kishte vendosur ta bënte të lumtur duhet ta donte shumë.

Momenti që na përloti të gjithëve ishte letra që lexoi Arbana, e shkruar nga Debora. Në letër shkruhej se prej kohësh familjes i mungonte dikush, Rebeka e cila nuk ia kishte dale që t’i mbijetonte sëmundjes.

Debora i kërkoi Xheraldinës që të jetonte për Rebekën, për të dhe për veten dhe i premtoi se sëbashku do t’ia dilnin mbanë. “Nënë fshiji lotët, mos qaj dhe pse nuk e kemi Rebekën ne duhet të jemi të forta”, – ishin këto fjalët me të cilat Debora iu drejtua nënës së saj, fjalë të cilat përlotën Xheraldinën dhe publikun që ndodhej në studio.

Për ta mbështetur Deborën në mesazhin e saj, Arbana kishte ftuar artistin që i kishte mbështetur në rrugëtimin e tyre, Ledri Vulën.

Share With:



295 Views