Ju kujtohet Daniela e ‘The Voice Kids’ që preku zemrat e të gjithëve? Sapo zbuloi një surprizë të re

Një histori e trishtë, por shpresëplotë ishte ajo e Danielës nga Kukësi, e cila, përtej jetës së rëndomtë të fshatit dhe kushteve të vështira ekonomike, nuk e la pasionin për muzikën.

Profili i Danielës, jeta dhe kushtet në të cilat jetonte familja e saj, në një prej zonave më të thella të Kukësit, përloti të madh e vogël në atë prezantim që u bë viral pak muaj më parë në “The Voice Kids”. Me thjeshtësinë dhe naivitetin e një fëmije, Daniela e solli jetën që bënte para syve të publikut me gjithë të vërtetën e saj, pa më të voglin shtrembërim, por me shpresën e pafund se një ditë, qoftë edhe përmes saj, e ardhmja do të ishte më e bukur.

Me modestinë e pashoqe, Daniela nuk pretendoi të fitonte “The Voice Kids”, por dëshironte që përmes talentit të saj të bënte krenarë prindërit, të cilëve u ishte mirënjohëse që nuk e kishin prerë në mes dëshirën që ajo të merrte pjesë në garë….

Ajo kohë shkoi dhe tani Daniela shfaqet sërish. Pak më e rritur, pak më e pjekur vokalisht, por ashtu e brishtë, me ëmbëlsinë dhe qetësinë që e karakterizon, është njëlloj me këmbë në tokë. Muzikën e ka pasion dhe kështu do të vazhdojë ta ketë. Nuk tundohet. Në të ardhmen, veten e sheh mjeke dhe nuk ndryshon nga kjo dëshirë (sepse ka shumë arsye për të mos e bërë këtë).

Ardit Çuni, një prej këngëtarëve të rinj më të talentuar, kishte gati një baladë, për të cilën i duhej një bashkëpunëtor. Pasi e kishte dëgjuar Danielën në “The Voice”, ishte emocionuar nga zëri i saj dhe mendoi se bashkë me të do të bënte një gjë të bukur. Kështu ndodhi. Arditi dhe Daniela u bënë bashkë për të sjellë një baladë të ndjerë për jetën në “Këngën Magjike”…

Sapo “Qaj” përfundoi prezantimin, publiku shpërtheu nga duartrokitjet. Për këngën dhe fabulën e saj (që qëndron afër historisë së Danielës), për zërat e dy të rinjve, por sidomos për ëmbëlsinë e bardhë të Danielës, publiku e dha vlerësimin që sot.

Ëndrrat janë gjithmonë aty, sado pengesa të të dalin rrugës. Nëse i do fort, do të bëhen reale. Daniela vetëm sa ka nisur…

Share With:
Translate »
661 Views