Kalendari i shtatzënisë, si do të ndiheni në çdo muaj

Shatzënia është një periudhë pritshmërie, ankthi, parapërgatitje. Nëntë muajt e shtatzënisë do t’ju mjaftojnë për të qetësuar frikën tuaj , do t’ju përgatisin për realitetin e të qenit prind, si dhe do t’ju japin kohë për të marrë përgjigjet e pyetjeve e hamendjeve që mund të keni pasur gjatë kësaj periudhe.
Është diçka normale nëse gjatë shtatzënisë suaj shqetësoheni për vogëlushin që po prisni. Por në shumicën e rasteve bebushi lind i shëndetshëm. Vetëm disa gra gjatë shtatzënisë kanë probleme që mund të ndikojnë në shëndetin e fëmijës. Prandaj nëse shtatzënia juaj është konfirmuar, vizitoni doktorin sa më shpejt të jetë e mundur dhe përpiquni të keni një stil jetese të shëndetshëm. Atëherë patjetër do të keni më shumë shanse për të shijuar shtatzëninë tuaj. Dhe ja vlen t’i bëni të gjitha këto përpjekje, sepse dhurata më e mirë për vogëlushin tuaj do të jetë shëndeti i tij i mirë.

Muaji i parë – në muajin e parë të shtatzënisë (afërsisht në javën e 1-4) emocionalisht ju mund të ndiheni e acaruar, e frikësuar apo dhe e gëzuar. Ndërprerja e menstruacioneve është një shenjë e qartë që ju jeni shtatzënë, megjithatë mund të keni ende njolla të lehta edhe pas 7 ose 10 ditëve pasi të keni ngelur shtatzënë. Ju shkon mendja për ndonjë lloj ushqimi të caktuar ose nuk ju pëlqejnë fare disa lloje ushqimesh. Në fund të muajit të parë formohet koka dhe një e çarë që më vonë do të formojë gojën e bebit. Sapo fillojnë të formohen truri, shtylla kurrizore, fillojnë të duken sythat ku do të dalin krahët dhe këmbët. Rreth javës së tretë zemra e vogël e foshnjës fillon të rrahë.

Muaji i dytë – në muajin e dytë (afërsisht në javën e 5-8) ju do të vazhdoni të keni pothuajse të njëjtat luhatje emocionale si në muajin e
parë. Gjithashtu do të keni ndryshime në pjesën e gjoksit si psh: rritje dhe zbutje. Në këtë fazë të zhvillimit, fëmija quhet embrion. Gjatë
këtij muaji fillojnë të zhvillohen qepallat, por ato vazhdojnë të jenë të mbyllura, gjithashtu formohen veshët, maja e hundës dhe gjuha. Nga
fundi i muajit të dytë fillojnë të formohen duart, këmbët dhe gishtat. Gjatë kësaj periudhe po ashtu zhvillohen organet kryesore: truri,
mushkëria dhe stomaku.

Muaji i tretë – Përveç ndryshimeve që pësohen gjatë muajit të parë dhe të dytë, në muajin e tretë do të keni dhe një rritje të oreksit. Nga fundi i këtij muaji, gishtat e duarve dhe të këmbëve të bebes kanë thonj të butë. Trupi, sytë dhe veshët janë gjithmonë në rritje dhe fillojnë të formohen strukturat e jashtme të tyre. Koka e fëmijës është pjesa më e madhe e trupit. Nga fundi i këtij muaji ju mund të dëgjoni rrahjet e zemrës së fëmijës. Organet gjenitale janë formuar tashmë. Sytë e fetusit lëvizin dhe afrohen me njëri-tjetrin, ndërsa veshët janë pozicionuar në të dy anët e kokës.

Muaji i katërt – në muajin e katërt (afërsisht në javën e 14-17) ju mund të ndjeni luhatje ose lëkundje të humorit ju vjen për të qarë, dukeni joracionale, jeni në ankth, ndjeheni e acaruar, harroni shum shpejt dhe keni probleme me përqendrimin. Nga fundi i këtij muaji mund të ndjeni lëvizje të fetusit. Në muajin e katërt koka e bebit, e cila ishte më e madhe se trupi, tashmë ajo është proporcionale me të. Placenta tashmë ka marrë funksion të plotë dhe shërben si burim ushqimi dhe oksigjeni. Kockat e bebit po fillojnë të forcohen gjithnjë e më shumë.

Muaji i pestë – në këtë muaj (afërsisht java e 18-22) do të ndjeni më pak luhatje të humorit dhe të temperamentit. Fizikisht ju mund të ndjeni dhimbje në fund të barkut, djegie stomaku, fryrje barku, ngërç në këmbë, dhimbje koke ndonjëherë, marrje mendsh dhe humbje ndjenjash. Në këtë muaj fillojnë të zhvillohen reflekset e gjumit dhe ju e ndjeni këtë gjë kur jeni duke pushuar. Tashmë veshët e bebit janë zhvilluar shumë mirë dhe arrijnë të dëgjojnë zhurmat, madje një zhurmë e fortë mund t’i trembë. Lëkura e fëmijës në këtë fazë mbulohet me një substancë të bardhë rrëshqitëse. Kjo substancë siguron fëmijën nga lëngu amniotik që do ta ndihmojë të rrëshqasë lehtësisht gjatë lindjes.

Muaji i gjashtë – në muajin e gjashtë (afërsisht java e 23-27) gjithashtu mund të ndjeni lëvizje të fetusit. Gjoksi është shumë i zmadhuar dhe filloni të bezdiseni nga pesha e trupit. Aktiviteti i fetusit bëhet më shumë i ndjeshëm dhe më i qartë. Në këtë fazë, sytë e fëmijës mund të hapen dhe të mbyllen, gjithashtu të reagojnë ndaj dritës. Kordat vokale tashmë funksionojnë, por kjo nuk do të thotë që do të lëshojë ndonjë tingull. Tingulli i parë që lëshon fëmija është e qara kur lind.

Muaji i shtatë- në muajin e shtatë (afërsisht java e 28-31) keni ndjenja mërzitje dhe bezdisje nga shtatzënia, po në të njëjtën kohë edhe ndjenjë kënaqësie dhe mirëqënie. Keni kruarje të barkut, vështirësi në gjumë, jeni e ngathët dhe e dembelosur. Në këtë fazë fëmija shton peshë me shpejtësi dhe rritja e trurit në këtë muaj dhe në muajt pasardhës është dramatike. Mushkëritë janë ende të pazhvilluara, por gjithsesi kanë filluar të funksionojnë.

Muaji i tetë – në muajin e tetë (afërsisht java 32-35) do të ndjeni një ankth në rritje dhe do të donit që shtatzënia të përfundonte sa më parë. Herë pas here mund të ndjeni dhimbje koke, marrje mendsh, e rrjedhje hundësh. Tashmë kontraksionet janë në rritje.

Muaji i nëntë – në muajin e nëntë (afërsisht java 36-40) emocionalisht do jeni e acaruar, shumë e ndjeshme, do të ndjeni ankth dhe më shumë frikë. Fizikisht mund të ndjeni më pak shkelma nga fëmija dhe më shumë dridhje, sepse fetusi ka më pak hapësirë për të lëvizur. Enjtja e kyçeve dhe këmbëve do të shtohen. Në këtë fazë do të keni më shumë kontraksione dhe shpesh disa nga ato janë shumë të dhimbshme.

Share With:
Translate »
2045 Views