Kërkon ndihmë nga psikologia Denata Toçe: Vjehrra… nuk po ia dal më me të

Përshëndetje. Jam 29 vjeç, jam e martuar dhe kam dy fëmijë djem. Njëri është 5 vjeç ndërsa tjetri 3. Që kur jam martuar kam jetuar me vjehrrën, një grua e lig, që ma ka nxirë jetën që prej 5 vjetësh. Tani po kuptoj se bashkëshortit tim nuk i intereson fare gjendja ime emocionale. Për të është e rëndësishme që vetëm nëna e tij të mos mërzitet.

Nga Denata Toçe Psikologe Këshillimi

Nga Denata Toçe
Psikologe Këshillimi

Ajo grua e ligë më ka shkatërruar çdo gjë, marrëdhënien me burrin tim, më ka bërë të ndjej ankth, stres. Vetëm ankohet, nuk është kurrë e kënaqur. I ankohet të birit për mua, do të fusë hundët në gjithçka, deri te vendimet që marrim ne për fëmijët, deri te ushqimi. Nuk më ndihmon absolutisht për asgjë në shtëpi dhe fëmijët nuk i mban kurrë. Nëse unë, për shembull, dua të dal apo kam ndonjë sebep, do vetëm t’i dëgjohet fjala e saj, ndërkohë që fëmijët e saj as nuk i ka rritur vetë. Ata i ka braktisur kur i ka vdekur i shoqi, dhe është martuar me dikë tjetër.

Fëmijët e vet ia ka rritur vjehrra dhe tani vjen dhe më tregon mua se si rritën fëmijët. Burri im e do pa masë, ia dëgjon fjalën shumë, por mua kjo situatë po më kthehet në stres e mërzi pa fund. Në një situatë të tillë as fëmijët nuk rriten shëndetshëm. Ju lutem, më jepni një këshillë si ta përballoj këtë situatë? Si t’i ndryshoj gjërat për mirë?

E dashur lexuese, këto janë situata të zakonshme në kulturën tonë, por të pazakontë në bashkëjetesën familjare. Ndërsa situata të kësaj natyrë avancojnë në vite, duket sikur marrëdhënia në çift ka një problem të madh. Me këtë dua të them se familja juaj, pra ju bashkëshorti dhe fëmijët janë pjesë përbërëse e një dimensioni tjetër familjar që është bashkëshorti dhe mamaja e tij. Ndaj është e udhës që familjet e reja të mund të bashkëjetojnë veçmas, për të mirën e marrëdhënies. Kështu këta të fundit kanë mundësi të krijojnë rregullat e tyre, “veset”, rutinat, vlerat dhe shpresat e tyre. Ky është një proces shumë i shëndetshëm që ndihmon rritjen familjare dhe nuk krijon konfuzion në programin e edukimit.

Nuk e di sesa e “keqe” është vjehrra juaj, apo sesa jo bashkëpunues është bashkëshorti juaj, por mund t’ju them nga eksperienca me këshillimin familjar se bashkëjetesa të kësaj natyre kanë qenë të vështira për t’u menaxhuar, nga të dyja palët, ndaj është e udhës që familja e re të mund të zhvendoset në “strofullën” e tyre familjare. Përpara se të merrni një vendim për të ardhmen, është e rëndësishme të kaloni nëpërmjet komunikimit me bashkëshortin tuaj. Përfytyroj se ju doni ta nisni diskutimin duke i treguar se sa e pashpirt është mamaja e tij, por do të udhëzoja që ta nisje nga ajo që ai përjeton.

Tregojini që ju e dini se e ai e do shumë nënën e tij dhe e mirëkupton këtë dashuri. Tregojini se sa shumë nëna e tyre ka bërë për të dhe do të ishte shumë e vështirë që të shkëputeni prej saj, por njëkohësisht tregojini nevojën që ju keni për të ndërtuar një jetë private me familjen tuaj ku herë pas here vini tek nëna e tij. Tregojini se sa shumë e vlerësoni prezencën e saj në jetën e fëmijëve, por njëkohësisht tregojeni se sa të nevojshme e keni që të krijoni rregullat tuaja. Në asnjë rast mos gjykoni negativisht nënën e tij. Ky nuk do të jetë asnjëherë argument në favorin tuaj.

Ndoshta vjehrra juaj do ta provojë të hedhë argument kundra jush, se ndoshta ju po i largoni djalin, por është e udhës që ju t’i injoroni këto komente dhe të mos bini pre e tyre. Gëzojeni jetën familjare së bashku, por këtë situatë do të duhet patjetër ta diskutoni në privatësi, me bashkëshortin tuaj, pse jo në një darkë të këndshme jashtë, ku të dy të jeni të relaksuar.

 

 

Botuar në Revistën “Psikologjia”, Nr. 138

Share With:
Translate »
558 Views