Kujdes me gripin në shkollë! Mjekët: Përhapet me shpejtësi

Në Gjirokastër, që prej nëntorit janë bërë rreth 2.800 vaksina kundër gripit, një numër ky minimal në raport me numrin e pacientëve kronikë që marrin mjekim në spitalin rajonal. Autoritetet thonë se ndergjegjësimi për ta bërë vaksinën ka qenë i ulët.

Autoritetet e shëndetit në Gjirokastër flasin për 540 raste të sëmurësh me grip, një pjesë e tyre të sëmurë kronikë dhe shumë fëmijë.

Në qendrën shëndetësore pranë njërës prej shkollave kryesore të qytetit, pediatrja Rita Jorgji ishte duke vizituar dy pacientë të vegjël, fëmijë të së njëjtës familje. Të dy ishin me grip, sqaron ajo, pasi kjo virozë përhapet me lehtësi brenda familjes, por edhe brenda klasave në shkolla.

Në shkollën 9-vjeçare “Koto Hoxhi” bëhet çdo ditë verifikimi për nxënësit që mungojnë. Në çdo klasë ka disa mungesa për shkak të gripit, por java e kaluar ka qenë edhe më e vështirë sipas mësuesve.

Lura Shehu, që drejton ciklin fillor, thotë se prindërve iu është kërkuar t’i mbajnë fëmijët e sëmurë në shtëpi, për të parandaluar përcjelljen e simptomave te fëmijët e tjerë.

Edhe në farmaci, medikamentet më të tërhequra janë antipiretikët dhe preparatet që kurojnë simptomat e gripit.

 

Share With:



110 Views