«Kujtoja se djali im ishte dembel, por rezultoi me tumor në tru», mamaja ndan historinë e rrallë të 16-vjeçarit

Të jesh mama e një adoleshenti nuk është aspak një mision i lehtë, aq më tepër që hendeku mes brezave sa vjen dhe thellohet, megjithatë prezantuesja e njohur britanike Philippa Forrester do të zbulonte se ndryshimet në sjellje të djalit të saj 16-vjeçar nuk lidheshin me pubertetin, por me një tumor në tru.

Gjithçka nisi në fund të 2016-ës, kur djali i saj më i vogël Freddy filloi të kishte probleme me përqendrimin, ndihej gjithë kohës i lodhur dhe kishte probleme me kujtesën afatshkurtër. Fillimisht Philippa mendoi se kjo ishte një situatë normale dhe se i biri ishte thjesht një adoleshent dembel, por ajo që zbuluan mjekët do ta linte pa fjalë.

“Freddy ka qenë gjithnjë një fëmijë çapkën dhe i gjallë, ndaj të them të vërtetën u habita fillimisht nga ndryshimet e tij në sjellje, por nuk u kushtova rëndësi. Kishte ditë që nuk çohej nga krevati dhe ankohej se kishte dhimbje koke. Mirëpo kur këto episode filluan të bëheshin më të shpeshta, u shqetësova seriozisht për gjendjen e tij. Ditën kur mjekët më konfirmuan se vuante nga glioma PNT, një tumor i rrallë i trurit që prek kryesisht adoleshentë, ishte një shok për mua. Nuk doja ta besoja,” -rrëfen ajo për “Daily Mail”.

Për ironi të fatit diagnoza nuk iu konfirmua nga një neurokirurg, por një mjek okulist që vërtetoi tumorin pasi i këshilloi të bënte një rezonancë magnetike. Freddy iu nënshtrua një ndërhyrjeje për heqje e tumorit 12 centimetra, në qendrën neurologjike të Salt Lake City, dhe pas trajtimeve rehabilituese që zgjatën plot 5 muaj, iu rikthye jetës së përditshme. ”Vendosa ta ndaj këtë histori për të ndërgjegjësuar të gjithë prindërit e tjerë që ë tregohen të kujdesshëm.”-mbyll rrëfimin e saj Philippa.

Share With:



161 Views