‘Kur ke gruan shtatzënë për herë të parë’, Xhensila ia paska nxirë jetën Besit

“Tre muajt e parë kështu janë…” Të gjithë i njohin problemet e tre muajve të parë të shtatzënisë, por është vetëm justifikim, sepse sikletet e nënave të reja nuk kanë fund gjatë gjithë pritjes së ëmbël. Bes Kallaku, për shembull, sa herë i jepet rasti, nuk rri pa ia nxjerrë bojën Xhensilës për të gjitha sikletet që jo vetëm ka kaluar vetë, por ia ka kaluar edhe atij.

Sot, nga studio e “B & E Coffee”, Besi ndau me publikun sikletet që kalon një burrë kur ka gruan shtatzënë për herë të parë: “Nuk e di a më ka ndodhur vetëm mua apo u ndodh të gjithë burrave që kanë gruan e vet për herë të parë shtatzënë. Kot thonë femrat ‘sa siklet heqim ne…”, siklet heqim edhe ne meshkujt, por s’na e dinë”, – tha ai ndërsa nisi të tregonte se tre muajt e parë nuk gatuhej asgjë në shtëpinë e tij, sepse Xhensila kishte probleme me erërat, si të gjitha nënat e reja:

“Tre muaj e parë gjatë shtatzënisë, në shtëpinë time nuk gatuhej fare, sepse femrat kanë probleme me erërat, me aromat, sidomos me ato të ushqimeve (jo se gatuhesj edhe para asaj periudhe…). Tre muajt e parë kam ngrënë vetëm bukë të thekur me djathë, asnjë lloj ushqimi tjetër, sepse e shqetësonin aromat, dhe të gjitha femrat kështu janë. Tre muajt e parë, femrat, sa i shikon, kanë atë shprehjen në fytyrë sikur janë në autobus, në tren… Hap derën “shpirti, mirë?” “Mirëëë…” (këtu Besi imiton lëvizjet dhe gjestet e një njeriu të plogësht që i përzihet në çdo moment)…”

Por nuk e lë me kaq “vuajtjen”. Duke rrëfyer një ngjarje në shtëpi, Besi, me humor tregon se gjatë asaj periudhe, vdiste nga uria: “Kisha një javë pa ngrënë dhe shkova në shtëpi. Sa hap frigoriferin…. Ajo ishte ulur te divani edhe direkt… (duke nuhatur). Shoh një tas gjellë që kishte një muaj aty brenda: “Ushqim… E mora tasin, mbylla frigoriferin dhe thashë ‘ishalla nuk po nuhat’. Hapa mikrovalën, futa tasin brenda, e mbylla dhe pas dy minutave, e stakova. Gjatë kohës që nxehej gjella, vjen aroma dhe ajo, duke nuhatur, ndjeu se diçka nuk shkonte, por nuk e dha veten… Sapo futa lugën në pjatë, filloi: “Po çfarë po bën? Nuk e shikon që unë jam duke vdek… A ke shpirt ti apo jo?”

E gjithë kjo histori, natyrisht, është e ekzagjëruar dhe me nota humori. Me gjithë ca të vërteta të vogla brenda, Besi e di mirë se asnjë “vuajtje” nuk mund të barazohet, madje as krahasohet kur në duar mban atë krijesë engjëllore: “Ia kam bërë hallall 9 muaj…” – tha ai pasi gëzoi në krahë të voglën e tij që e bën të fshijë në moment çdo siklet “të hequr” 9 muaj me radhë… (nëse nuk kujtohet se edhe 40 ditët e lehonisë nuk janë më pak të tmerrshme.)

Share With:
Translate »
619 Views