Me fëmijë pa fëmijë, kjo është magjia e festave në shtëpitë e VIP-ave shqiptarë

Periudha e fundvitit pritet me padurim pothuajse nga të gjithë, sidomos për faktin se ngurtësisë së dimrit i bashkohen dritat e ngrohta të festave që ndezin shpirtin e secilit prej nesh. Në gëzimin e nisur me Krishtlindjet, i cili pason me natën e Ndërrimit të Viteve, të gjithë kanë diçka të përbashkët; frymën e festës. Siç e do tradita, shtëpitë zbukurohen me bredha të lartë e drita shumëngjyrëshe, sheshet e rrugët e qyteteve shkëlqejnë nga ndriçimi e zbukurimet dhe qielli fillon të zbardhet më shumë nga fishekzjarret.

Magjia e festave ka zbritur edhe në shtëpitë e VIP-ave shqiptarë, atmosferën festive e cila vjen më poshtë për ju.

Shtëpia e Nora Istrefit dhe Robert Berishës

Disa ditë më parë këngëtarja ndau me ndjekësit në Instastory pamje nga një kënd i shtëpisë së saj, ku kishte vendosur bredhin e lartë të zbukuruar me drita e topa shumëngjyrësh. Në bredhin e festës mbizotëronte ngjyra e bardhë, e cila të jepte përshtypjen se mbi të kishte rënë dëborë.

Shtëpia e Lori Hoxhës

Megjithëse tashmë është transferuar për të jetuar në Londër, disa javë më parë trashëgimtarja e Top Channel, Lori Hoxha, ndau me ndjekësit pamje nga ambjeti festiv i shtëpisë në Tiranë. Në një kënd të dhomës ajo kishte vendosur bredhin gjigant në ngjyrë të bardhë, i zbukuruar me topa e drita të shumta, poshtë së cilit ishin vendosur disa arinj polarë.

Shtëpia e Rezarta Shkurtës dhe Ermal Hoxhës

Nëpërmjet një videoje të ëmbël pranë bashkëshortit dhe vajzës së tyre, Herës, Rezarta Shkurta zbuloi për ndjekësit në rrjetin social Instagram pamje nga atmosfera festive e shtëpisë së tyre. Ata shfaqeshin duke zbukuruar bredhin e vendosur pranë oxhakut, poshtë të cilit qëndronin pako me dhurata të madhësive të ndryshme.

Shtëpia e Afërdita Dreshajt dhe Jakub Kindl

Vetëm pak ditë më parë modelja e njohur Afërdita Dreshaj publikoi në Instastory pamje nga shtëpia super luksoze në Miami, ku po jeton me bashkëshortin çek, Jakub Kindl. Në mes të dhomës çifti kishte vendosur një bredh shumë të lartë, të zbukuruar me topa e fjongo të kuqe, ndërsa mbi oxhak kishin vendosur degë bredhi dhe një shportë të madhe me dhurata.

Shtëpia e Ramush dhe Anita Haradinajt

Disa ditë më parë, bashkëshortja e Kryeministrit të Kosovës zbuloi për ndjekësit në Instagram pamje nga shtëpia super luksoze e çiftit. Ata kishin vendosur në mes të dhomës një pemë të madhe ku mbizotëronte ngjyra e bardhë, e cila të jepte përshtypjen se kishte rënë dëborë, ndërsa shkallët për tu ngjitur në katin tjetër ishin zbukuruar me degë bredhi.

Shtëpia e Fatma Methasanit dhe Alfio Rrotanit

Vetëm disa javë më parë çifti më i ri i showbizit pranoi se jetojnë së bashku dhe tashmë nuk kanë ngurruar të tregojnë ambientin festiv të shtëpisë së tyre. Fatma dhe Alfio kanë vendosur në këndin e kuzhinës një bredh të zbukuruar me topa të bardhë e ngjyrë floriri, ndërsa ambjentin përreth e kanë mbushur me drerë, babagjysha e plak dëbore, duke e bërë të duket një ambient i ngrohtë e festiv.

Shtëpia e Miriam Canit dhe Alban Skënderajt

Këtë fundvit, këngëtarja Miriam Cani ndau me ndjekësit një foto të bredhit të shtëpisë në këndin e kuzhinës, të cilin po e zbukuronte së bashku me vogëlushen Ameli. Në bredhin me drita shumëngjyrëshe mbizotëronte ngjyra e kuqe dhe e floririt, e cila i jepte një vezullim të veçantë zbukurimeve.

Shtëpia e Ledina Çelos

Disa ditë më parë, këngëtarja Ledina Çelo ndau në rrjetin social Instagram pamje nga shtëpia super luksoze në Gjermani, ku po jeton prej disa kohësh me bashkëshortin dhe fëmijët. Në pamjet e publikuara duket shtëpia e mbushur plot e përplot me zbukurime për festat, qirinj e pemë plot drita.

Shtëpia e Bebe Rexhës

Këngëtarja e njohur shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, publikoi së fundmi në Instastory pamje nga ambienti festiv i shtëpisë së saj. Në cepin e kuzhinës vezullonte bredhi i mbushur me topa në ngjyrë gri dhe floriri, poshtë të cilit qëndronin disa dhurata.

Shtëpia e Bora Zemanit

Teksa i uroi të birit ditëlindjen, Bora Zemani tregoi për ndjekësit në rrjetin social Instagram një cep të shtëpisë së saj, ku kishin vendosur bredhin e festave. Bredhit të bardhë me topa të kuq i ishin bashkuar edhe disa lodra të vogëlushit Arbor, të cilat ishin varur në degët e tij.

Share With:
Translate »
909 Views