Mënyra më e mirë për të ushqyer fëmijët që vuajnë nga veshkat

Sëmundja e veshkave te fëmijët mund të shkaktohet nga defektet e lindjes, sëmundjet e trashëguara, infeksionet, sindroma nefrotike, trauma, si dhe bllokimi ose refluksit të urinës.

Sëmundja akute e veshkave zhvillohet papritur, zgjat një kohë të shkurtër dhe mund të jetë serioze me pasoja afatgjata ose mund të zhduket plotësisht pas trajtimit.
Parandalimi dhe ushqyerja

Për fëmijët me sëmundje kronike të veshkave, sipas specialistëve të ISHP-së, ushqyerja është shumë e rëndësishme pasi ushqimi mund të ndikojë në funksionimin e veshkave të tyre.

Prindërit të cilët kanë fëmijë që vuajnë me sëmundje kronike të veshkave, duhet të konsultohen gjithmonë me doktorin përpara se të bëjnë një ndryshim në ushqyerjen e fëmijës.

Për të qenë të shëndetshëm, fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, në dietën e tyre të përditshme duhet të kenë kujdes disa elemente.

Proteinat

Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave duhet të marrin proteina në sasitë e nevojshme për rritjen, pasi marrja e tepërt e tyre do ta avancojë sëmundjen deri në mosfunksionim të veshkave.

Ushqimet që përmbajnë proteina janë: vezët, qumështi, djathi, pula, peshku, mishi i kuq, bishtajoret, kosi etj.

Natriumi
Sasia e natriumit që fëmijët kanë nevojë varet nga faza e sëmundjes së veshkës, mosha e tyre, dhe ndonjëherë edhe faktorë të tjerë. Ushqimet të cilat përmbajnë sasi të mëdha natriumi janë: ushqimet e konservuara, disa ushqime të ngrira, ushqimet e përpunuara, patatet e skuqura etj.

Kaliumi

Te fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave, kaliumi duhet të mbahet në nivele normale, pasi më pak ose më shumë kalium në organizmin e tyre mund të shkaktojë probleme në zemër dhe muskuj.

Fëmijët nuk duhet të konsumojnë disa fruta apo zarzavate, ose duhet të pakësojnë vaktet dhe porcionet e ushqimit në mënyrë që mos të marrin kalium më shumë seç duhet. Frutat dhe zarzavatet që kanë pak kalium janë: molla, boronica, luleshtrydhet, lakra, lulelakra, brokoli etj. Frutat dhe zarzavatet të cilat kanë shumë kalium janë: portokalli, pjepri, kajsia, banania, patatja, domatja, spinaqi i gatuar etj.

Fosfori

Fëmijët që kanë sëmundje kronike të veshkave duhet të ruajnë nivelin e fosforit në gjak, pasi nivele të larta të fosforit çojnë në thithjen e kalciumit nga kockat duke i bërë ato të dobëta dhe lehtësisht të thyeshme.

Gjithashtu, nivele të larta të fosforit në gjak mund të japin kruarje të lëkurës dhe skuqje të syve. Fosfori gjendet në ushqimet me shumë proteina. Ushqimet që kanë nivele të ulëta të fosforit janë: bishtajat, kokoshkat, mishi i papërpunuar, orizi, drithërat, e bardha e vezës etj.

Lëngjet

Në fillimet e sëmundjes kronike, veshka e fëmijës mund të prodhojë shumë ose pak urinë, e cila mund të çojë në dehidrim ose në ënjtje.

Me përparimin e sëmundjes mund të nevojitet që fëmijët të pakësojnë nivelin e lëngjeve të marra. Sasia e likideve që fëmija duhet të marrë duhet të përcaktohet nga doktori specialist.

Share With:
Translate »
882 Views