Mësohet arsyeja pse babai e rrëmbeu djalin e vet 11-vjeç

Ky lajm ka bërë bujë në të gjitha mediat vendore, i cili në masë të madhe ka shqetësuar opinionin, më në fund u demaskua nga policia. Familja Tafa nga Shtimja, policia thotë se ka mashtruar lidhur me kidnapimin e fëmijës 11-vjeç, Erlis Tafa.

Ky rast është raportuar më 08.04.2018, por sot, policia bashkë me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, gjatë hetimit të rastit kanë arritur në përfundim se ky rast nuk ka të bëjë fare me rrëmbim.

Madje, këtë e ka pranuar edhe vetë i mituri, Erlis Tafa, por edhe babai i tij, Adem Tafa, shkruan Express.

Në një komunikatë për media e dërguar nga policia, thuhet se zbardhja e këtij rasti, është arritur pas sigurimit të të gjitha provave relevante, ndërkaq, sot, në prani të punëtorit social dhe të psikologes, është intervistuar i mituri, Erlis Tafa, i cili e ka pranuar se rasti është inskenuar.

Sipas tij, rastin e ka inskenuar bashkë me dy djemtë e axhës së tij, me punë në Belgjikë, (V.T.21 vjeç dhe D.T.19 vjeç).

I mituri Erlis Tafa, gjithashtu, ka deklaruar se rastin e kanë inskenuar me qëllim që i njëjti të përfitojë dokumentacionin valid të shtetit të Belgjikës.

Policia e ka intervistuar edhe babanë e të miturit, Adem Tafa, i cili e ka pranuar dhe vërtetuar se rasti është inskenuar, por sipas tij, ai nuk kishte qenë në dijeni.

Lidhur me hetimet e këtij rasti është njoftuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, i cili ka urdhëruar që rasti të procedohet në mënyrë të rregullt si, ”Lajmërim apo kallëzim i rremë”, ndërsa SRH do të vazhdojë me hetimet e mëtejme të rastit.

Share With:
Translate »
1280 Views