“Mos dëgjoni asnjë doktor, kur e ndjeni se diçka nuk shkon me fëmijën”/ Rrëfimi i nënës që zbuloi sëmundjen e djalit

Kjo nënë ka treguar historinë me fëmijën e saj. Si e zbuloi sëmundjen e djalit, edhe pse doktorët i thonin se nuk ka asgjë…? Si e trajtuan mjekët në Shqipëri dhe Greqi? Të gjitha këto në letrën më poshtë…

***

Quhet Endri dhe sot është 9 vjeç.

Endri ka lindur në Greqi, ku dhe jetojmë sot.

Peripecitë tona filluan aty nga fundi i muajit Korrik të 2014.

E shikoja që djali kishte ndryshuar, lodhej shpejt, ishte i zbehur në fytyrë, kishte vënë rrathë të zinj rreth syve.

Tek tuk e lagte ndonjëherë krevatin natën.

Isha e shqetësuar, flisja me njerez të familjes dhe përreth se diçka nuk shkonte dhe të gjithë më thoshin se djali është mirë mos të kisha merak.

U thoja që urinonte natën dhe më thonin do i kalojë.

Aty nga fundi i Gushtit gjërat u keqësuan.

Dilnim te këndi i lojnave dhe ai më thoshte hajde shkojmë në shtëpi.

Fëmijët e tjerë luanin futboll ai nuk mund të merrte pjesë se nuk donte. ( kështu më thoshte mua, se në të vërtetë nuk kishte fuqi)

Filloi dhe çdo natë urinonte në krevat por jo vetëm një herë. Tre herë në natë…

E ngrija dhe e çoja të urinonte ai sikur bënte ujë, jo urinë, ngjyrë të tejdukshme.

Djersitej.

Ngrihej natën dhe pinte ujë.

Mbylla takim me urologun dhe gjithashtu mbylla një takim me kardiologun.

Në datën 8 Shtator shkoj tek urologu, dhe për fatin tim të mirë kishte marrë pushimet, dhe thjesht kishin harruar pa na lajmëruar.

E nevrikosur për këtë gjë shkoj në spitalin e fëmijëve.

Atje pres rradhën time dhe futem në dhomën e vizitës.

Doktori na ishte dhe drejtori i spitalit!

Më tha mua: – Çfarë ka djali?

– Urinon natën këtu e 20 ditë. Dhe ka humbur peshë 10 kile.

Më pa pak vëngër.

– Për këtë ke ardhur këtu?

– Po… i them.

– Asgjë nuk ka djali. Ajo që do bësh është të mos i japësh ujë një orë para gjumit.

– Por doktor, ai kërkon ujë, si mos ti jap? Pastaj ai është i madh, ngrihet natën vetë edhe pi pa e kuptuart fare unë.

– Nuk ka gjë djali është shumë mirë. ( pa e prekur fare)

– Doktor, pastaj ka raste që buzët i bëhen të bardha dhe i vjen për të vjellë. Nuk ka fuqi.

– A, të lutem shumë , në urgjencë nuk vihet për gjëra të tilla, mbyll një takim me pediatrin tek klinikat e Spitalit.

– Doktor, nuk mundem ta shtyj më shumë.

Takimin e mbyll sot dhe e ke për 3 muaj datën.

Nuk mundem.

Të paktën t’i bëjmë një test urine se mos ka infeksion që urinon kaq shpesh.

Për një çast ngeli në vend.

Po të kishte mundësinë do më mbyste.

E pashë fytyrën e tij që u inatos dhe gjithë ironi i tha infermieres ndihmëse që ishte në dhomë

– Shkruaji një analizë urine, se mamaja duhet t’a dijë më mirë se unë. Duhet të ketë infeksion.

Nuk i fola fare, i thashë faleminderit dhe u largova me recetën.

Shkova tek vendi ku bëhen analizat e gjakut dhe të urinës.

Pasi morën analizën, më thanë se duhet të shkoja përsëri pas një ore të merrja përgjigjen.

Më vuri në siklet pritja se puna ishte se kisha një takim tjetër në orën 4 e 15 dhe ora ishte 2 e 45.

Epo mirë thashë 1 orë do kem mbaruar në 3 e 45.

Vendosa të prisja.

Vajti ora, dhe shkoj të marr përgjigjen.

E shikoj atë laboranten që ishte e shqetësuar.

Ik andej, hajde ktej.

Ulej tek mikroskopi.

Duhet ta shikoj edhe vetë më tha mua, se diçka nuk shkon, mbase është bërë një gabim në laborator 2 herë që e provuam.

Por do e shoh unë tani.

Duke e parë dhe më thotë, ka njeri Diabet në familje?

Mua m’u prenë këmbët.

Gjyshja ime i thashë.

Djali e ka sheqerin të lartë, më tha.

Marr përgjigjen dhe nuk shikoja më para syve ç’a kisha përpara.

As rradhën nuk e prita.

Iu vërsula derës dhe pa trokitur fare u futa me vrrull brenda.

Për të mos ia hedhur në fytyrë përgjigjen ia hodha mbi tavolinë dhe bëra një hap mbrapa… 1000 Glucoza në urinë.

Ai dokto,r i cili mua më dërgonte në shtëpi, duke më thënë se fëmija im ishte shumë në rregull dhe se nuk duhej t’i jepja ujë 1 orë para buke, ngeli i shashtisur.

I iku ngjyra nga fytyra.

I iku gjithë ajo ironia dhe mllefi që ndjeu para pak orësh për mua.

Nuk doja ti tregoja se cila ishte puna e tij, por thjesht po shikoja se fëmija im nuk ishte mirë.

Aq sa folët ju, fola dhe unë.

Mendoj se kjo e bëri dhe më të vështirë gjendjen e tij.

-Si ka mundësi që ky fëmijë është në këmbë?

Prandaj të thoja se nuk ka gjë, sepse e shikoj si kokrra e mollës.

Një pacient nuk mund të jetë në këtë gjendje me këto të dhëna që kam në duar.

– Edhe molla, i thashë, është e kuqe jashtë, por krimbin e ka nga brenda.

Nuk munda më shpërtheva dhe po qaja.

Në atë moment shikoj që dhoma u mbush me infermiere , doktora… që as vetë nuk e di nga mbinë.

E morën djalin dhe mundoheshin t’a shtrinin.

Me sa forcë që kisha u kam uleritur ta linin sepse vetem po ti thoja une do bashkepunonte me ta.

Nuk munden ta bejne me zor te rrije.

Eshte një fëmijë i cili kurrë nuk është ndëshkuar sepse shumë thjesht ai na kupton vetëm me fjale.

U larguan të gjithë dhe pasi i shpjegova se çfarë do i bënin ra dakort të bashkëpunonte.

I morën gjak tek gishti me aparatin e tyre dhe tregonte 697.

Përgatiteni për shtrim…

Ndenjëm 1 javë në spital.

Kishim doktorin tonë të diabetit pasi u shtruam.

Një njeri i përkryer.

Gjatë kësaj jave na dërguan të takonim dietologun e spitalit që gjithashtu nuk kam veç fjalët më të mira për atë njeri.

Na bëri mësime në lidhje me karbohidratet, na shpjegoi llojet e insulinave që do bëjmë dhe se kur e bëjnë efektin si është skema e insulinave dhe grafikën e tyre.

Çfarë duhet të devijojmë dhe çfarë duhet të zgjedhim më shumë.

Të gjitha këto në praninë tonë dhe të djalit.

2 orë duke shpjeguar dhe ia di shumë për nder sepse vetëm me anë të tij mundemi sot dhe i llogarisim drejtë, duke ditur dhe përsenë.

Më pas na dërguan përsëri në një qendër që na dhanë penat dhe gjithçka na nevojitej dhe na bënë përsëri mësim çdo ditë sesi do bëhet insulina, kushtet , vendet.

Gjithashtu dhe cilat janë simptomat në hipoglicemi dhe në hiperglicemi.

Jo vetëm ajo, por dhe pyetje nëse i kisha mësuar apo jo.

Nëse vajzat tek qendra thoshin se unë nuk isha gati, djali nuk do mund të vinte në shtëpi me mua.

Ishte si tip provimi.

Doktori na tha se mund të dilnim ditën e katërt, pasi i kishte rëne tek 150 glukoza, por unë vendosa të rrija akoma sepse nuk isha akoma gati të merrja jetën e fëmijës tim në dorë.

Pastaj kuptova se më mirë i kisha mësuar unë veprimet dhe karbohidratet sesa doktoreshat e dezhurnit dhe infermieret e pavionit.

Dolëm duke na dhënë me vete skemën: Actrapid, Novorapid, Novorapid dhe në orën 9 Levemir.

Na dhanë me vete dhe një kuti shiringe Glukagon na shpjeguan si funksionon dhe se kur duhet ta përdorim.

Na thanë se çdo vit duhen bërë analiza, një nga ato është dhe Ciliac i cili në të shumtën e rasteve shkon paketë me Diabetin.

Për fat të mirë analizat i dolën shumë mirë.

Gjithashtu na thanë se duhet të shkojmë të konsultohemi çdo 2 muaj tek qendra diabetike ku ai kontrollon.

Na dha telefonat e shtëpisë celularit dhe të zyrës.

Gjithashtu dhe të gjithë të tjerëve Dietologut, vajzave tek qendra, dhe të psikologut.

Tani bëhet pothuajse 5 muaj që kemi vënë pompë dhe është djali më i lirshëm në lidhje me ushqimin dhe shpimin e penës.

Por gishtin siç e dini nuk e kemi shpëtuar.

Më përpara shkoja në shkollë 2 herë në ditë.

Pastaj 1… dhe tani nuk shkoj më.

E shpon gishtin vetë dhe i shkojnë vetë të dhënat në pompë me Bluetooth.

Ai vetëm di sesa units do bëjë pasi unë para se të shkojë në shkollë i them se në pushimin e parë do bësh kaq, në të dytin kaq.

Dhe ai i vendos në pompë dhe bën insulinën që nevojitet.

Doja t’ua tregoja të gjitha këto duke filluar nga më kryesorja:

Nuk duhet të dëgjoni asnjë doktor e asnjë familjar ose të njohur kur ju prindër diçka kuptoni se nuk shkon mirë me fëmijën tuaj.

Duhet të këmbëngulni!

Edhe doktori më i mirë ( Në rastin tim drejtor) mund të bëjë gabime. Të tjerat në lidhje me mënyrën e sjelljes ndaj një pacienti ua thashë gjithashtu se përsëri duhet të këmbëngulni.

Nëse nuk mundeni për mjetet e përdorimit, ( kuptohet është çështje ekonomie vendi dhe nuk e di sesa është në dorën tuaj) por të paktën për mënyrën e sjelljes ndaj jush.

Përse të ketë një sjellje kaq ndryshe një doktor në Greqi, nga ai në Shqipëri?

Përse të ketë infermierë që të shikojnë nga duart në Shqipëri?

Përse të ketë këto kushte në Greqi dhe në Shqipëri jo?

Asnjë doktor nuk më kërkoi asnjë kokërr leku.

Asnjë infermiere që vinte çdo dy orë në dhomë me buzën në gaz nuk më pa nga duart gjithashtu.

Përkundrazi, organizuan dhe teatër në sallën e pritjes së spitalit për gjithë pacientët e vegjël dhe ne të mëdhenjtë, në bashkëpunim me një trupë amatore që e bënte thjesht për pasion. (kjo bëhej cdo javë)

Përse mos të jetë dhe Shqipëria kështu?

Buzëqeshja, përkëdhelja e një fëmije nuk kushton. Por vlen shumë!

*Mos ma merrni për keq gjithë këtë shkrim, nuk e bëra se dua të mburrem apo t’iu bëj të ndiheni të nënvlerësuar përpara meje, thjesht thashë ato qe unë ndjeva, ato që unë përjetova dhe do doja shumë t’i përjetonit dhe ju dhe gjithë ata që kanë nevojë në një çast të tillë. (përveç disave që nuk do doja t’ju ndodhte, prandaj u them këmbëngulni!)

Share With:
Translate »
724 Views