Mos lejoni që shtatzënia t’ju prishë planet e pushimeve të verës; Masat themelore të sigurisë kur udhëtoni me avion

Ju ndoshta shqetësoheni se shtatzënia mund t’ju prishë planet për të udhëtuar apo pushimet verore, por nuk është e thënë të jetë e vërtetë. Nga ana tjetër, meqë jeni shtatzënë, nuk do të thotë se do të rrini gjithë ditën mbyllur në shtëpi. Mund të udhëtoni pa frikë për aq kohë sa gëzoni shëndet të mirë dhe respektoni masat themelore të sigurisë. Në përgjithësi, rekomandohet që të udhëtoni gjatë tremujorit të dytë të shtatzënisë, kur keni më pak të përziera në mëngjes dhe trupi është përshtatur me ndryshimet e reja. Ndoshta gjatë tremujorit të tretë, do ta keni më të vështirë të lëvizni. Megjithatë, nëse keni ndonjë problem mjekësor, si sëmundje zemre, ose nëse keni pasur ndonjë shtatzëni të mëparshme me probleme, mjeku mund t’ju rekomandojë të mos largoheni shumë nga shtëpia.

Para se të zgjidhni mënyrën e duhur të udhëtimit, duhet të dini se sa kohë ju duhet për të arritur në destinacion. Në përgjithësi, rruga më e shpejtë është më e mira, por duhet të merren parasysh edhe faktorë të tjerë, përfshirë këtu edhe shpenzimet.

Fluturimet me avion: zakonisht, fluturimet me avion, konsiderohen të sigurta për gratë që kanë shtatzëni pa probleme. Gjithsesi, bëni mirë të këshilloheni me mjekun, para se të rezervoni një biletë. Fluturimi gjatë shtatzënisë mund të rrisë rrezikun e komplikacioneve dhe të shfaqë sëmundje si ajo e drepanocitozës dhe mpiksjes së gjakut. Gjithashtu, pas javës së 36-të të shtatzënisë ose nëse ekziston rreziku i një lindjeje të parakohshme, mjeku mund t’jua ndalojë udhëtimet e çdo lloji.

Nëse përputhet me planet tuaja, periudha më e mirë për të udhëtuar është gjatë tremujorit të dytë, nga java e 14-të deri në javën e 28-të. Ka të ngjarë që gjatë kësaj periudhe të jeni në formë të shkëlqyer dhe rreziqet për abort apo lindje të parakohshme të jenë shumë të vogla. Kur fluturoni me avion:

*Kontrolloni politikat e linjës ajrore për udhëtimet gjatë shtatzënisë.

Udhëzimet për gratë shtatzëna ndryshojnë në varësi të linjës ajrore dhe destinacionit.

*Zgjidhni vendin ku do të uleni. Për sa më shumë hapësirë dhe rehati, kërkoni të uleni në ndenjëset pranë korridorit.

*Vendosja e rripit të sigurimit.

Gjatë udhëtimit, vendoseni rripin e sigurimit poshtë barkut.

*Lëvizni. Nëse është e mundur, shëtisni herë pas here në korridorin mes ndenjëseve të avionit. Nëse nuk duhet të ngriheni, mundohuni t’i mblidhni dhe shtriqni gjymtyrët sa më shpesh të jetë e mundur. Mjeku mund t’ju rekomandojë që gjatë udhëtimit të mbani çorape llastiku për qarkullimin e gjakut.

*Konsumoni sa më shumë ujë. Niveli i ulët i lagështisë brenda avionit mund të çojë në dehidratim. Presioni i ajrit gjatë fluturimit, mund të pakësojë sasinë e oksigjenit në gjak, por nëse gëzoni shëndet të plotë, kjo nuk përbën asnjë problem. Gjithashtu, pjesës dërrmuese të udhëtarëve nuk u duket problem ekspozimi ndaj rrezatimit, gjatë udhëtimeve në lartësi të mëdha. Gjithsesi, pilotët dhe stjuardesat që fluturojnë shpesh, janë të ekspozuar ndaj një niveli më të lartë rrezatimi nga sa konsiderohet e sigurt.

Share With:
Translate »
596 Views