Mungesa e fëmijëve në burg, brengë përtej çdo përfytyrimi!

Nga Av. Denisa Daka 

Të vizitosh burgun është gjithnjë një përvojë e veçantë, ndërsa vizita në burgun e grave është shumë mbresëlënëse, nga pikëpamja njerëzore kryesisht.

Dhjetëra gra aty “pas hekurave”, në një burg në periferi të Tiranës, vuajnë dënimin për një sërë veprash penale, ndërsa kryefjala në takimin me to janë gjithmonë fëmijët.

Janë fjalëpake e të përmbajtura, ndërsa një tis i zymtë u ravijëzon për shkak të dhimbjes,  fytyrën e çdo gjymtyrë..

Secila pret me padurim lejen e shpërblimit a uljen e dënimit sipas ligjit, ndërsa mundësitë financiare për të pajtuar një avokat për të mbrojtur të drejtat e tyre janë pothuajse të pamundura nga ana e tyre, në shumë raste.

Një grua dinjitoze dhe e mençur, klientja ime aty, nënë e 3 fëmijëve të mitur, nuk arrin të takohet prej shumë kohësh me ta, pasi bashkëshorti refuzon t’ia sjellë në takim.

E për këtë shkak e jo vetëm, brenga e saj kalon çdo përfytyrim, duke ia zvogëluar fuqitë ditë pas dite e duke e bërë të humbasë çdo shpresë për më tej.

Paragjykimi e mendësia e prapambetur e familjarëve të tyre në shumë raste, penalizon ditë pas dite shumë syresh aty.

Të gjitha ato gra, nëna zgjohen e flenë me merakun për të vegjlit e tyre në atë ishull të ftohtë, duke pëshpëritur me vete nën zë: “A janë mirë, a kanë ftohtë, a u ka dhënë dikush diçka për tê ngrënë, a kanë mësuar..kush i qëndron pranë kur janë sëmurë?”, ndërsa kudo pranë shtretërve të tyre gjen foto e letra të fëmijëve të tyre.

Ndërkohë politikat për faljen e dënimit apo aplikimi i dënimeve alternative në favor të kësaj kategorie, rezultojnë të jenë veç pjesë të konferencave a takimeve në salla luksoze, duke mos sjellë impakt për këtë qëllim.

Deputetet gra kryesisht (nëna me fëmijë pothuaj të gjitha), zonja të shoqërisë civile gjithashtu, duhet doemos të ndërmarrin të tilla nisma në favor të kësaj kategorie, për të dhënë një kontribut real a për të shënjuar me një vepër të mirë, duke kuptuar të gjitha bashkë se veç qasja e duhur do ta nxjerrë këtë vend nga errësira e prapambetja e kundërta do të na fundosë përfundimisht të gjithëve.

Të promovosh falje në të tilla kushte, në favor të një gruaje të dënuar a në favor të fëmijëve që fati i keq i ka dënuar në shumë raste të mos ndajnë ditët e tyre me asnjë nga prindërit, është përveçse detyrim dhe një vepër sublime në emër të jetës e lirisë posaçërisht.

Share With:
Translate »
516 Views