Ndahet nga jeta vëllai i Yllka Mujos, për 2 javë hapte ekspozitën e tij në Paris

Ndërroi jetë mbrëmjen e djeshme në moshën 63-vjeçare Agim Mujo, vëllai i artistes Yllka Mujo. Ai mësohet se u nda nga jeta pas një atak kardiak në Romë të Italisë, ku jetonte atje prej vitit 1990.

“Me hidherim te thelle ju njoftojme se sot ndrroi jete nga nje atak kardiak Agim Mujo,vellai i Artistes Yllka Mujo. Ne moshe fare te re Agimi luajti ne nje sere filmash, midis te cileve ne filmin “Malet ne blerim mbuluar”. Ai mbaroi studimet per pikture dhe u shqua per talentin e tij,duke u paraqitur ne shume ekspozita ne Itali dhe France”, shkruan në rrjetet sociale Gjergj Zaharia, ish-bashkëshorti i Yllka Mujos.

Agim Mujo ishte një personazh i njohur, pasi ka interpretuar në dy filma shqiptar, në një prej të cilëve luante krah motrës Yllkës, në të njëjtin rol si në jetë motër e vëlla. Bëhet fjalë për filmin e vitit 1971 “Malet me blerim mbuluar”, ku Agimi luante rolin e Zenelit. Një vit më herët ai luajti në filmin Guximtarët (1970).

Agim Mujo mbaroi studimet për pikturë dhe u shqua për talentin e tij, duke u paraqitur në shumë ekspozita si në Itali dhe Francë. Më datë 7 tetor ishte planifikuar hapja e një ekspozite në Paris me Zamir Matin, por që nuk arriti ta realizonte dot.

Share With:
Translate »
473 Views