Ndërlikimet që shkakton duhanpirja pasive gjatë shtatzanisë

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik thonë se ndalimi i duhanit këshillohet tek të gjitha gratë gjatë shtatzënisë.

“Megjithatë, studimet kanë treguar se vetëm ndalimi i duhanit gjatë shtatzënisë nuk është i mjaftueshëm për të eliminuar rrezikun e lidhur me ekspozimin ndaj tij. Shumë gra shtatzëna ekspozohen ndaj duhanpirjes pasive, apo duhanpirjes tretësore. Edhe këto kontakte indirekte me produktet e duhanit kanë ndikim negativ në shëndetin e gruas shtatzënë dhe të fëmijës së porsalindur”, bëjnë me dije ekspertët e ISHP-së. Në vijim të shkrimit do të gjeni të plotë ndikimin që ka duhanpirja pasive gjatë shtatzanisë.

Çfarë është duhanpirja pasive gjatë shtatzanisë  

Duhanpirja pasive ndodh sa herë kemi çlirimin e produkteve në ambient gjatë përdorimit të duhanit nganjë, ose disa persona. Ajo mund të jetë pasojë edhe e pranisë së mbetjeve të produkteve që përmbajnë duhan.

Në duhanpirjen pasive gjenden afërsisht 4000 kimikate, shumica e të cilave janë përgjegjëse për kancerin. Si nëna dhe fëmija janë në rrezik në qoftë se nëna ekspozohet ndaj duhanpirjes pasive gjatë shtatzënisë.

Disa nga pasojat negative të ndikimit të duhanpirjes pasive janë aborti, pesha e vogël në lindje, lindja parakohe, apo edhe sindroma e vdekjes së parakohshme te foshnja. Kjo sindromë ndodh kur foshnja vdes papritur gjatë gjumit dhe shkaqet e ndodhjes së saj janë ende mister.

Duhanpirja tretësore dhe shtatzënia

Gratë mund të ekspozohen ndaj duhanpirjes tretësore pa e kuptuar. Duhanpirja tretësore lidhet me mbetjet e ngelura gjatë përdorimit të duhanit në mobilje, qilima dhe piktura. Duhanpirja tretësore mund të jetë e pranishme për muaj apo vite.

Në qoftë se ambienti ka erë duhani edhe pse askush nuk po përdor duhan, atëherë ka shumë mundësi që të kemi mbetje të duhanit në këtë ambient, pra jemi përpara një duhanpirjeje tretësore. Toksinat mund të futen në gjak sa herë që ka kontakte me mbetjet e produkteve të duhanit (kontakte fizike apo në rrugë ajrore).

Kur toksinat futen në gjak mundësohet dhe kontakti i bebit me to. Një studim i kryer në Los Angelos tregon se, duhanpirja tretësore ka një efekt negativ në formimin e mushkërive gjatë periudhës prenatale, gjë që çon në probleme respiratore në të ardhmen. Në qoftë se një grua dhe partneri i saj dëshiron të ketë fëmijë, nëse ajo është shtatzënë, ose sapo janë bërë me fëmijë, këshillohet të minimizohet duhanpirja tretësore në shtëpi.

Partneri duhet të përdorë duhanin jashtë ambienteve të shtëpisë dhe të heqë veshjen sa hyn në shtëpi. Për shembull partneri këshillohet të veshë një këmishë, apo xhaketë sa herë që del për të përdorur duhan, dhe ta heqë atë pa hyrë në ambientet e shtëpisë. Gjithashtu, pas përdorimit të duhanit partneri këshillohet të lajë duart.

Po pas lindjes së bebit?

Është e rëndësishme që bebi të ketë ekspozim sa më minimal ndaj duhanpirjes pasive. Bebet në kontakt me duhanpirjen pasive kanë më shumë mundësi për sindromën e vdekjes së papritur. Gjithashtu, fëmijët e ekspozuar ndaj duhanpirjes pasive kanë një sistem imunitar më të dobët.

Këta fëmijë kanë më shumë mundësi të kenë infeksione të veshëve, infeksione të rrugëve të frymëmarrjes dhe probleme me dhëmbët. Duhanpirja tretësire, ashtu si ajo pasive janë të dëmshme për shëndetin e fëmijës, ndaj duhet që fëmijët të mbahen larg ambienteve që kanë mbeturina të përdorimit të mëparshme të duhanit.

Share With:



129 Views