Nëna e një adoleshenteje: Nuk di si t’i flas vajzës për pubertetin dhe menstruacionet

“Kur është e vogël, të duket sikur nuk do të vijë kurrë ajo ditë. “Ka kohë…” – i thua vetes dhe vendos të merresh me gjëra të tjera që “kanë më shumë vlerë”, pa vënë re se ajo për të cilën kishe menduar një ditë më parë (ashtu të duket) paska ardhur sot dhe, dashur apo pa dashur, vajza të vjen e tmerruar nga tualeti dhe të pyet me ankth “Maaa, më janë bërë të mbathurat pis…”

Ok, po e lë mënjanë pjesën kur mezi pret të largohet ajo për pak që t’ia plasësh së qarës që as vetë nuk e di nga të hipi: A nuk ishte dje kur po mendoja se është shumë e vogël dhe ka akoma kohë? Mosss, sa vite paskan ikur… Ia plas së qarës edhe më shumë, por megjithatë, kupton se tani duhet t’i hysh punës – Eni është adoleshente dhe këtë duhet ta pranoj, ta trajtoj si të rritur. (Ufff, por është vetëm 10 vjeç…)”

Kjo është vetëm pak nga ndjesia që nëna e një vajze 10-vjeçare përjetoi pak muaj më parë. Emocione që nuk arrin dot t’i shpjegosh, keqardhje për moshën e vogël dhe të madhe e gjithfarëlloj ndjenjash që nuk i përshkruan dot, vetëm i kupton atëherë kur të ndodhin. Por ama ta këpusin shpirtin.

Po si duhet të sillesh dhe, mbi të gjitha, si duhet t’i flasësh vajzës që sapo ka hyrë në periudhën e saj më delikate, si t’i rrëfesh asaj për ndryshimet hormonale, për pubertetin, për menstruacionet dhe për shpërthimet e moshës. Shkenca ka disa udhëzime për nënat e reja… (Mos, edhe për dashurinë?)

Gjej kohën e duhur

Nëse ajo ka filluar të tregojë interes për ndryshimet në trupin e saj, tani është koha e duhur për të filluar bisedën për pubertetin.

Shanset janë që mosha e saj të jetë 8 vjeç ose pak më e madhe. Ajo tashmë po përjeton disa ndryshime fizike dhe është shumë kureshtare për të mësuar rreth tyre. Puberteti mund të jetë i vështirë për t’u trajtuar nga çdo prind, sepse mund të të duket sikur vajza është shumë e vogël, mund të të duket sikur po të largohet dhe po e humb, por nuk është kështu. Ajo thjesht po rritet. Kjo do të thotë që tani nuk kërkon më histori apo përralla për ta zënë gjumi, por revista për adoleshentë dhe kohë më shumë vetëm. Daljet që keni shijuar gjithmonë së bashku, papritmas mund të bëhen të lodhshme për të dhe hyrja në dhomën e saj është vetëm me “ftesë”.

Mundohu të mos e marrësh personale. Ajo që duket pa karakter është, në fakt, e paqartë ose ndoshta po përpiqet të gjejë rrugën e saj. Ndoshta ajo nuk e kupton, por ka nevojë akoma shumë për ty, kështu që vazhdo ta mbash afër dhe të vendosësh një komunikim të hapur me të. Gjëja më e keqe që mund të bësh në këtë moment është të mos e dëgjosh. Prandaj gjej kohën e duhur dhe bisedo me të për gjithçka.

Mësoji bazat

Shiko, mos harro se çdo vajzë është e ndryshme. Dikujt mund t’i fillojnë menstruacionet në moshën 8-vjeçare dhe dikujt në moshën 16-vjeçare. Kur të vijë koha, puberteti nxitet kur gjëndra e hipofizës, një gjëndër e pezmuar afër trurit, sinjalizon trupin të lëshojë lajmëtarë kimikë të quajtur hormone. Hormonet, më pas, stimulojnë rritjen dhe zhvillimin e organeve riprodhuese, si dhe ndryshimet e ndërlidhura në të gjithë trupin. Një hormon i sekretuar nga hipofiza bën që vezoret e saj të prodhojnë hormonin estrogjen. Estrogjeni është përgjegjës për zhvillimin parësor seksual. Kur ajo ovulon, ose lëshon një vezë të pjekur, trupi është në gjendje të mbetet shtatzënë.

Niveli i luhatshëm i hormoneve gjithashtu mund të sjellë ndryshime të humorit, një fenomen i njohur mes adoleshentëve. Por mos harro se këto ulje-ngritje janë ndoshta po aq të vështira sa vajza jote t’i përjetojë njëlloj sa edhe ti.

Duhet të dish çfarë po i ndodh dhe kur

Çdo vajzë në këtë periudhë shqetësohet për fazën e saj të parë – si do të jetë dhe nëse është normale apo jo. Pika më e rëndësishme për t’u kapërcyer është që t’i tregosh se gjithçka po i ndodh është normale. Vajzat janë të ndryshme. Për t’i lehtësuar shqetësimet, këtu janë disa simptoma që ajo mund të fillojë të përjetojë dhe që duhet të dish t’i menaxhosh bashkë me të:

Rritja e gjoksit: Gjoksi do të bëhet më i rrumbullakët dhe më i plotë. Gjinjtë e një vajze shpesh zhvillohen në mënyrë të pabarabartë, veçanërisht në fillim, dhe ti patjetër duhet t’i sqarosh se asgjë nuk është për t’u shqetësuar.

Qimet pubike. Nisin të dalin në zona intime dhe në fund të periudhës së pubertetit qimet bëhen më të trasha dhe kaçurrela.

Deri në moshën 15 vjeç, vajza duhet të presë që të ketë një kërcim të rëndësishëm në gjatësi dhe në peshë. Nëse jo, këshillohuni me mjekun e familjes.

Ndryshimet vaginale. Vajza mund të shqetësohet kur fillimisht vëren një njollë të verdhë ose të bardhë në të brendshme. Mund ta sigurosh se është normale dhe e pritur. Në qoftë se ajo nuk përjeton kruajtje vaginale, erë ose acarim, nuk ka pse të shqetësoheni për infeksione të mundshme.

Kjo është zakonisht një shenjë e periudhës së parë e cila shtyn deri në një vit. Gjatë gjithë kësaj kohe, ajo mund të mbajë peceta ditore për ta mbajtur veten pastër, por duhet të keni parasysh që mund të mbajë me vete edhe një palë të bredshme shtesë në çantë.

Shumë vajzave nuk u rriten shpejt qimet nën sqetull derisa të fillojnë menstruacionet.

Menstruacionet. Shumica e vajzave periudhën e tyre të parë e kanë midis moshave 12 dhe 13-vjeçare. Por ora e të gjithëve është e ndryshme dhe është normale që menstruacionet të nisin në moshën 8 ose 16-vjeçare. Konsultohuni me mjekun e familjes nëse vajza nuk e ka kaluar periudhën e saj të parë.

Puberteti sjell disa surpriza të tjera që mund të mbahen mend gjatë gjithë jetës. Mos harro se ajo nuk është më fëmijë, kështu që mund të jetë koha ta prezantosh me deodorantet, sepse gjëndrat e djersës bëhen më aktive. Hormonet aktive dhe gjëndrat yndyrore gjithashtu mund të çojnë në krijimin e puçrrave në fytyrë dhe shpinë.

Higjiena në këtë fazë është shumë e rëndësishme. Edhe pse është e vështirë, duhet t’i kërkosh asaj me forcë të tregojë çdo lloj sikleti, në mënyrë që të shmanget çdo lloj infeksioni që lind lehtësisht nga higjiena.

Gëzohu tani, lëri lotët! Ajo është rritur…

Share With:



62 Views