Nga Dorina Bilbili: Kur të shkruani letrën e Babagjyshit me fëmijën, mos harroni çfarë na mësoi Florenci!

Vdekja tragjike e Florencit nuk na përplasi në fytyrë vetëm mjerimin ekonomik të shumë shqiptarëve, por po bie si një kambanë alarmi mbi shoqërinë tonë të etur për solidaritet. Fatkeqësisht shfaqim “solidaritet” sa herë gjëma ndodh, e me një histeri të pashoqe kolektive përmbytim rrjetet sociale. Por nuk dimë të japim ndihmë, kur kjo e fundit shpëton!

23-vjeçari nuk arriti të kthehej sot nga Franca në shtëpi me një jetë më të mirë siç edhe kishte ëndërruar, por e sollën brenda një arkivoli të akullt. Ndoshta po aq të ftohtë sa edhe indiferenca e shtetit, e shoqërisë ndaj pamundësisë të shumë prej nesh për të siguruar edhe bukën e gojës. “Ne jemi të varfër…Dua vetëm drejtësi për djalin!”. Këto fjalë dolën nga goja e prindërve të të riut fatkeq, si dëshmi tronditëse e një bote që përgjërohet për solidaritet.

LE TA NISIM DUKE “PËRQAFUAR” FORT MESAZHIN QË LA PAS FLORENCI, QË TË TJERË TË MOS KENË FATIN E TIJ.
Bota jonë s’është e përsosur! Si rezultat, më të ndjeshmit prej nesh duhet të kujdesen për ata që nuk janë aq me fat, të shëndetshëm ose aq të pasur sa ne dhe këtu del në skenë solidariteti. Sipas Bankës Botërore, në vendin tonë rreth 373 mijë shqiptarë jetojnë në varfëri absolute. Pasojat janë shpesh tragjike, pasi një numër njerëzish vendosin t’i japin fund mjerimit të tyre duke kryer vetëvrasje, të tjerë duke emigruar në rrugë nga më të rrezikshmet. S’ka diskutim që më efektive është nëse shoqëria e detyron qeverinë të marrë masa për të forcuar ekonominë, duke inkurajuar investime që do të krijonin vende të reja pune.

Por hidhni sytë, jo më larg se tek fqinjët tuaj! Sa prej tyre nuk sigurojnë dot as bukën e gojës? Janë të pastrehë dhe të papunë? Sa fort do të të rëndonte nëse do të gatuaje tre ose katër herë në javë për ta? Padyshim që ata kanë nevojë për ushqim çdo ditë, por një shprehje e madhe thotë: Nuk varfërohesh duke dhënë aq sa mundesh!

Një kërkim shkencor nga Universiteti i Miçiganit, dëshmon se efektet pozitive të të qenit bujarë përfshijnë mirëqenien (fizike dhe mendore), jetëgjatësinë, si dhe ndihmon në reduktimin e stresit dhe rritjen e vetëbesimit.

Niseni menjëherë me brezin e ri!

Prindër, mësojini fëmijët se si të jenë solidarë! Përkufizimi i solidaritetit është aftësia për të ndihmuar të tjerët. E gjitha kjo fillon në shtëpi! Fëmijët janë si sfungjeri, ata përthithin dhe imitojnë atë që shohin. Duke ju parë si i lironi vendin tuaj në autobus një të moshuari apo duke ndihmuar një fqinj me çantat plot me ushqime, janë akte të thjeshta që mësojnë ndjeshmëri. Fëmijët mund të bëjnë një punë në shtëpi si hedhja e mbeturinave, ujitja e luleve, apo edhe të ndihmojnë vëllezërit e tyre më të vegjël me detyrat e shtëpisë ose duke u veshur.

Së bashku me fëmijën mund të planifikoni një kohë për të përzgjedhur bashkë lodrat, me të cilat ata nuk luajnë më. E kur fëmijët të kuptojnë se jo të gjithë bashkëmoshatarët kanë lodra për të luajtur, ata do të nisin të vlerësojnë atë që kanë.

Nëse ata ende nuk i kanë shkruar letrat e tyre për Babagjyshin, pse të mos kërkoni që ata të përfshijnë një lodër për një fëmijë që ka nevojë për të?

PSIKOLOGËT THONË SE NJË FËMIJË BUJAR KA SHUMË MË TEPËR SHANSE PËR T’U BËRË NJË I RRITUR I LUMTUR.

Në anën tjetër edhe qeveritarët kanë pjesën e tyre të përgjegjësisë për shfrytëzimin e pasurisë së vendit, për kushtet skandaloze të punës dhe punën e fëmijëve. S’është e mjaftueshme që një politikan të bëjë deklarata mbështetëse për njerëzit në nevojë, sepse kjo nuk e zgjidh problemin. Duhet veprim!

Hapat urgjent që duhet të ndërmarrim si shoqëri për ta bërë Shqipërinë një vend më të mirë janë: Promovimi i vetëdijes për atë që po ndodh vërtet me shoqërinë shqiptare dhe sigurimin e përpjekjeve të vazhdueshme për të nxitur politikanët për të përmirësuar standardin e jetesës në vend. “Veprimet flasin më shumë se fjalët”, ka thënë Ibrahim Hooper.

Share With:
Translate »
773 Views