Përlotet punonjësja e ndihmave: Vajzat e mia luajnë me fëmijët e mbetur pa shtëpi

E ftuar në programin “Historia ime” në Tv Klan ka qenë Suela Koçibelli, e cila është drejtore e “Vizion OJF”. Pas tërmetit, ajo ka shkuar si vullnetare së bashku me organizatën e saj në zonat e prekura nga tërmeti duke u përqëndruar kryesisht në familjet me beba dhe fëmijë të vegjël.

Ne kemi ndërhyrë faktikisht që në ditën e parë. Rreth orës 9 ose 10 u mblodhëm si grup sepse njëra nga pikat tona është ndihma në raste emergjente, ndihmë direkte. Por ndryshe është teoria dhe ndryshe praktika, e vërteta është shumë e vështirë. Dita e parë ka qenë një amulli totale, një ankth tek njerëzit. Luteshin që ishin gjallë me familjet e tyre dhe sigurisht bebat e vegjël ishin ata që përplaseshin nga dora më dorë, kush t’i merrte i pari. Trauma ishte tek të gjithë. Dhe kjo ishte arsyeja që ne u munduam që në fillim që të ofronim të paktën një lloj asistence, një lloj ndihme direkte për këta fëmijë, ndihma bazike. Tre ditët e para kanë qenë ditët më të tmerrshme dhe pastaj ka filluar të ndihet një lloj organizimi. Kryesisht kemi të bëjmë me familje që vinin nga situata të vështira social- ekonomike, ata ishin po skandal përpara, ra dhe kjo dhe mbaroi gjithçka. Dhe trauma e tyre kjo është: Mbaroi këtu për neve”.

Më tej Koçibelli shton se vëmendja duhet patjetër të përqëndrohet tek fëmijët sepse nuk duhet lejuar që trauma e përjetuar si pasojë e tërmetit të sjellë probleme në mirëformimin e trurit të tyre.

Besoj se tek fëmijët ne duhet të ndërhyjmë shumë sepse ata janë e ardhmja dhe nëse ne lëmë trauma dhe probleme në mirëformimin e trurit sot, janë defekte që do akumulohen. Jemi të gjithë në një lloj traume, por fëmijët e kanë përjetuar më keq. Fëmijët kanë nevojë për shumë asistencë”.

Gjithashtu, punonjësja e ndihmave tregon mes lotëve se është e vështirë, por ata përpiqen që të jenë të fortë, të qeshin dhe luajnë me ta, në mënyrë që fëmijët të mos lexojnë dhimbje në sytë e tyre.

Suela Koçibelli: Ne duhet të jemi shumë të fortë, ne nuk e di ku e gjejmë forcën, por duhet të jemi të fortë. Unë kam vetë dy vajza. Ne duhet të jemi të fortë, që fëmijët të mos lexojnë në sytë tanë, frikën që lexojnë tek mami dhe babi. Ndonjëherë shohim njëri-tjetrit në sy dhe themi: Pse ne jemi këta, që po arrijmë të buzëqeshim kaq shumë, të lozim dhe të kënaqemi, dhe të harrojmë që aty mbrapa shtëpia është shembur, dikujt i është rrezikuar jeta… Po a e kupton, sa e vështirë është..

Mirela Milori: Sa e vështirë është?

Suela Koçibelli: Është pafundësisht e vështirë, nuk ka fjalë. Por është motiv për ta bërë….

Mirela Milori: Do vazhdosh ta bësh këtë punë?

Suela Koçibelli: Sigurisht..

Mirela Milori: Sa vjeç i ke vajzat e tua?

Suela Koçibelli: Vajza ime e madhe është 8 vjeç, e vogla është 4. Unë nuk dua absolutisht që unë të qaj, sepse Zoti na ka fal dhe ne jemi gjallë dhe ata beba që ne lozim aty janë gjallë. Dhe kjo është ajo që unë dua t’ju them: Ne jemi gjallë, ne duhet të lozim, duhet të kënaqemi, të kemi ngjyra. Unë di një gjë që, ju kam munguar shumë vajzave të mia tani dhe i kam marrë me vete vajzat e mia në terren. Sepse kanë lozur njësoj me fëmijët e tjerë, i kanë bërë shokë. Se dhe ata kur shohin fëmijët tanë, ndihen më të sigurt.

Share With:



35 Views