Përpara se të godisni fëmijën, mendohuni mirë! Ja vendimi i qeverisë

Nëse mendoni se fëmija juaj do t’ju dëgjojë duke e rrahur, pyeteni dy herë veten. Qeveria i ka dhënë më shumë liri Agjencisë Shtetërore për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës. E nëse fëmija juaj ankohet tek ky institucion do t’i futeni një problemi të madh.

Ky institucion ka dorë t’ju vendosë gjobë dhe ka të drejtë të “hetojë” për çdo njeri. Sipas vendimit të qeverisë edhe për ata me pushtet, madje!

Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës fillon procedurën e kryerjes së kontrollit për raste të ndodhura, kur janë në dijeni apo kanë dyshime të argumentuara të shkeljes të të drejtave të fëmijës dhe të mospërmbushjes së detyrimeve ligjore nga strukturat përkatëse, në bazë të:
– ankesës apo kërkesës së fëmijës së interesuar, prindit, kujdestarit ligjor, përfaqësuesit ligjor apo përfaqësuesit procedural të fëmijës;
– çdo ankese, kërkese të ardhur apo të paraqitur, në mënyrë anonime ose jo, nga çdo person fizik apo juridik, publik apo privat.

Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës ka të drejtë të fillojë procedurën e kryerjes së kontrollit me nismën e vet, në rastet kur:
-ka informacion, konstaton ose ka një dyshim të argumentuar se ka ndodhur një shkelje e të drejtave të fëmijës;
– konstaton moszbatim të detyrimeve ligjore nga strukturat e përcaktuara dhe punonjësit përkatës gjatë kontrolleve për monitorimin e zbatimit të ligjit;
– bëhen raste publike në organet e medias apo të shtypit.

Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, brenda 8 (tetë) ditëve nga dita e marrjes së ankesës/kërkesës, njofton me shkrim subjektin kundër të cilit është paraqitur ankesa/kërkesa. Në rastet kur procedura administrative fillohet nga Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës njoftohen brenda 10 (dhjetë) ditëve të gjitha palët në proces për fillimin e veprimeve.

Subjekti ndaj të cilit është paraqitur ankesë ka të drejtë që gjatë procedimit administrativ të pyetet dhe të mbrojë veten e tij, përfshirë edhe të drejtën për të paraqitur prova dhe për të thirrur dëshmitarë. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës, në çdo rast të shqyrtimit të ankesës, kërkesës apo kontrollit të iniciuar nga vetë ajo, ndjek procedurën e mëposhtme:
a) Kryen kontrolle dhe vizita në vend, duke gëzuar të drejtën e hyrjes në çdo zyrë të administratës publike qendrore e vendore, të personave fizikë ose juridikë privatë, si dhe këqyrjen e akteve dhe/ose të dokumenteve që kanë lidhje me çështjen në shqyrtim, duke respektuar kërkesat procedurale, sipas legjislacionit në fuqi;
b) Kërkon informacione, shpjegime apo çdo material që ka lidhje me çështjen nga çdo organ i administratës publike, qendrore e vendore, çdo person fizik ose juridik privat, që ka lidhje me çështjen, duke vendosur edhe afate për dërgimin e këtyre informacioneve, me përjashtim të rasteve kur informacioni, aktet dhe/ose dokumentet e kërkuara përbëjnë “sekret shtetëror” dhe/ose “sekret hetimor”;
c) Merr në pyetje çdo person, që, sipas saj, është i lidhur me çështjen në shqyrtim dhe mund të thërrasë të gjithë personat pa imunitet, me përjashtim të rasteve kur informacioni, aktet dhe/ose dokumentet e kërkuara përbëjnë “sekret shtetëror” dhe/ose “sekret hetimor”;
ç) Kërkon ekspertizat përkatëse nga ekspertë të palëve të treta;
d) Zhvillon një seancë dëgjimore me fëmijën, nëse fëmija pranon ose e kërkon një gjë të tillë vetë ose nëpërmjet prindit, kujdestarit, përfaqësuesit ligjor, duke konsideruar moshën dhe aftësinë e fëmijës për të kuptuar. Në këtë rast, fëmija pyetet, mundësisht, në prani të punonjësit të mbrojtjes së fëmijës ose të psikologut të caktuar në kuadër të menaxhimit të rastit. Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës nuk lejon konfrontimin e fëmijës me personin/subjektin ndaj të cilit është paraqitur ankesë;
dh) Konsideron deklaratën e dhënë nga fëmija te punonjësi i mbrojtjes së fëmijës në procesin e shqyrtimit të ankimit;
e) Zhvillon një seancë dëgjimore dhe fton palët e çdo person tjetër të interesuar, përpara marrjes së vendimit përfundimtar;
ë) Ndërmjetëson marrëveshje pajtimi mes ankuesit dhe personit kundër të cilit është paraqitur ankesa, duke u bazuar në interesin më të lartë të fëmijës.

Vendimi i kryetarit të Agjencisë Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijës për të vendosur gjobë dhe/ose rregullime apo masa, merret ndaj:
a) organit të administratës publike qendrore ose strukturave të pushtetit vendor;
b) personit juridik publik ose privat;
c)personit në funksione publike;
ç) personit fizik, brenda personit juridik, publik ose privat.

Share With:
Translate »
665 Views