Pipi Çorapegjata vjen në ekranin e madh

Në vitin 1945, shkrimtarja suedeze Astrid Lindgren e shkroi librin e parë për Pipi Çorapegjatën, vajzën e patrembur, me flokë ngjyrë portokalli e cila e pushtoi botën. Për ata që mund të mos e kenë njoftuar atë ende, së shpejti do të vijë edhe versioni modern i aventurave të Pipit të popullarizuar.

Kompanitë e produksionit Studiocanal dhe Heyday Films, të cilat qëndrojnë prapa filmit Paddington, po punojnë intensivisht me Astrid Lindgren Company për ta bërë filmin e ri të bazuar në librat e tyre të preferuar për fëmijë, të cilat Lindgren i kishte botuar mes viteve 1945 dhe 1948.

Karakteri i Pipi Çorapegjatës u krijua si një tregim për natë të mirë nga Lindgren për vajzën e saj Karin: personazhi i një vajze me energji të madhe, flokë ngjyrë portokalli, pikla, shpirt të lirë dhe fuqi mbinjerëzore.

Librat që rezultuan e avokojnë girl power, vetëbesimin, mirësinë dhe zemërgjerësinë dhe janë përkthyer në 77 gjuhë dhe janë shitur në 65 milionë kopje në të gjithë botën.

“David Heyman e ka një sens fantastik që t’i bartë veprat letrare në ekran të madh, kështu që besoj se ai dhe Studiocanal e kanë gjetur një ekip që mund ta kuptojë dhe vlerësojë fuqinë e plotë të Pipi Çorapegjatës, dhe se mund të bëjmë filma që mund ta përcjellin edhe gjallërinë dhe ekuilibrin e librave të gjyshes sime.

Prandaj. Jemi të lumtur që mund ta paralajmërojmë këtë bashkëpunim. Veçanërisht jam i kënaqur që po e prezantojmë këtë pikërisht tani sepse në vitin 2020 po përgatitemi ta shënojmë 75 vjetorin e botimit të parë të Pipi Çorapegjatës”, tha nipi i Lindgren dhe presidenti i kompanisë filmike Astrid Lindgren, Nils Nyman, në një deklaratë zyrtare.

Përveç librave që i pushtuan zemrat e audiencës së rritur e të vogël, Pipi kishte edhe seri të animuara, filma artistikë dhe filma televizivë, por mbase më i famshmi është seriali i vitit 1969 Pipi Çorapegjata (Pippi Longstocking) me Inger Nilsson në rolin kryesor.

Studiocanal dhe Heyday kanë bashkëpunuar gjithashtu në një version të ri të The Secret Garden, i cili aktualisht është në post-produksion, dhe për të cilin e ka sjellë trailerin e parë rreth dhjetë ditë më parë.

Share With:



51 Views