Po bre, shumë m’u dhimt, prap kish çik

Të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë!
Kam takuar gra që shumë m’kanë ba krenare që jam femër, kam takuar edhe nga ato që dijnë dhe duan të arrijnë në jetë dhe që tregojnë se nuk janë të varura nga askush për të jetuar. Kam takuar edhe intelektuale dhe shumë i kam duartrokitur për sukseset e tyre. Dhe çdo herë kam menduar dhe sot ende mendoj që ka nga ato që jetojnë dhe e duan jetën duke u knaqur jo veç me lumturinë e tyre por edhe duke i pa të tjerët të lumtur. Shumë i gëzohem sukseseve të femrave, sepse syri im i sheh si krijesen më të bekuar në botë.

Sa e mirë dhe plot pozitivitet do ishte jeta sikur të ishim të kënaqur si në rreshtat më lart. Por, pa pritur dëgjoj fjalët që s’dua t’i besoj që dalin nga goja e femrave, fjalët që të ngrijnë buzëqeshjën në çast “po bre shumë m’u dhimt apet kish çikë.” “Tana t’mirat i ka, veç djalë s’ka, ajo ka veç çika.”
Kot. S’mundet truri me besu që ashtu thonë. Të gjithë le të thonë, ti intelektualja ime mos thuaj, ti e arsimuara që jeton në këtë shekull mos thuaj, ty që të durtrokita mos thuaj, ti që ke qenë vet vajzë e tash je nënë, ti të lutëm mos thuaj.

Ç’faj ka vajza, krijesa më e çmuar në tokë, me sy të pastër ngjyrë qielli, më buzëqeshje plot jetë, me përqafimin më të sinqertin në botë, më fjalët që i ngjajnë bletës që lëshon mjaltë dhe me dëshminë që të gjitha e posedojmë që ajo voglushja e ëmbël që një ditë u rrit nga zemra nuk të largoi kurrë. Vajzën e çmoi i pari i Madhi Zot, vajzën e çmoi e ngriti lart edhe i Dërguari i Zotit. Jo vetëm që e bëri të barabartë me mashkullin, por vajzën, gruan, femrën e nderoi dhe e ngriti edhe me lartë se mashkullin, sa që Zoti një kapitull të veçantë në Shpalljen e Tij ua kushtoi grave, e i dërguari i Zotit tha: “Kush i rritë tri vajza, i edukon, kujdeset për to, shperblim ka Xhennetin.”

E kur e pyetën, pas adhurimit të Zotit, kush nga krijesat në tokë meriton më shumë respekt, ai tha: Nëna. Po pastaj? – NËNA. Po pastaj? – NËNA. Po pastaj? – Babai. Pra nëna, ajo që dikur ishte një vajzë e vogël që ndoshta edhe nëna e saj është mërzitur kur ka lindur “çikë” e jo “djalë”.

A nuk e di sa shumë të vlerësoi ty Zoti më vajzë? Ti nuk e di se ç’sjell e ardhmja, jeta është një enigmë, andaj mos paragjyko sot që të pendohesh nesër, ngase jam e bindur që i vetmi fllad i shpirtit është vajza, po e nëpërkëmbe ti sot, kush do ta çmojë nesër?

Të vetëdijesohemi njëherë e përgjithmonë dhe ta kuptojmë që nëse lindë një vajzë dije se ke lindur një thesar, që nëse ke lindur një vajzë, ke lindur një dashuri pa kushte dhe të pashterrshme, një shoqe të mirë gjatë jetës, dhe një oqean përplot perla.

Syna dhe Sara, bijat e mia, do të jem deri në vdekje në shërbimin tuaj!

Autore: Fatbardha Dajaku Kastrati

Share With:
Translate »
672 Views