Prag festash, gjykata ju heq kujdestarinë prindërve birësues dhe jua jep prindërve biologjik

NGA ANTA MUÇAKU për newsbomb.al
Nikolina është një zonjë tipike shkodrane; e gjallë, plot humor e me një zemër të madhe.
Pesë vite më parë ajo bëri një gjest të jashtëzakonshëm duke marrë në kujdestari një vogëlushe nga Shtëpia e Fëmijës.
Ndonëse 60 vjeçe dhe nënë e dy vajzave të rritura, Nikolina Krraba shkoi në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër dhe u rrëfeu punonjëseve sociale, dëshirën e madhe që kishte për të marrë në kujdestari një vajzë.
E vendosur dhe me shumë durim, Nikolina ndoqi të gjitha procedurat e nevojshme, derisa gjykata me vendim gjyqësor i kaloi kujdestarinë e vogëlushes 5 vjeçare Lazime.
Mirëpo sot, pas 5 vjetësh prindërit biologjikë të vogëlushes, të cilët më herët nuk kishin mundësi ekonomike për të mbajtur bijën e tyre, janë stabilizuar financiarisht.
Prindërit e Lazimes, tashmë 9 vjeçe, kërkuan të rimarin kujdestarinë e vajzës, dhe gjykata disa ditë më parë vendosi në favor të tyre.
Ditën e djeshme, zonja Nikolina përcolli bijën e saj të zemrës, te prindërit biologjikë.
Për 60 vjeçaren, këto ditë janë të trishta, të mbushura me dëshpërim e dhimbje. Nikolinën e ka marrë malli që tani për të voglën e saj që e rriti me aq dashuri dhe u kujdes mos t’i mungonte asgjë.
Shtëpia i duket bosh dhe nuk ka dëshirë të flasë me askënd. Ajo kujton vetëm hapat e vogëlushes nëpër shtëpi, detyrat e shkollës që i bënin bashkë e mbi të gjitha përqafimet e dashurinë e çiltër që dinte t’i falte Lazimja me pafajësinë e një fëmijë.
Madhështia e një gruaje si Nikolina qendron në faktin që ndonëse me shpirtin copash nga dhimbja, u kujdes që vogëlushja mos shihte kurrfarë trishtimi në sytë e saj.
Ajo organizoi një darkë në shtëpi, ftoi prindërit e Lazimes e ngriti e një dolli.
‘Zemra e nanës tu priftë mbarë pranë familjes tënde’!
Newsbomb.al- *Ndalohet kopjimi i këtij materiali pa citim
Foto nga darka që shtroi zonja Nikolina me familjen biologjike të vogëlushes

Share With:
Translate »
834 Views