Prezantuesja e njohur u tall me Princin George, por reagimet e bënë të pendohej keq

Prezantuesja e njohur e “Good Moring America”, Lara Spencer bëri një gafë të madhe gjatë emisionit të mëngjesit, për të cilën duket se u pendua shumë më pas. Ajo ironizoi dhe qeshi me pasionin e Princit George për baletin, por nuk e mendoi se fjalët e saj do të merreshin shumë seriozisht nga njerëzit dhe kryesisht nga balerinët. Mbi të gjitha, ajo nuk mendoi reagimet që një fjali e pamenduar nga ana e saj do të sillte.

Pas një kronike ku thuhej se aktiviteti i preferuar i Princit George është baleti, Spencer u shpreh me ironi: “Do shohim sa do t’i zgjasë”. Fjalia e saj ka vijuar me një nënqeshje dhe sigurisht që kjo gjë nuk kishte si të kalonte pa u vënë re nga publiku i ndjeshëm ndaj këtyre çështjeve. Reagimet ishin të menjëhershme dhe rrjeti u mbush me video me hashtagun #boysdancetoo (edhe djemtë kërcejnë).

Në fundjavë, ajo reagoi me anë të një postimi në Instagram, ku shkruhej:

“Kërkoj sinqerisht falje për komentin e pandjeshëm që bëra dje. Unë i mbështes njerëzit që duan të eksplorojnë në jetë, nga baleti e deri te gjithçka tjetër. Besoj shumë se duhet të jemi të lirë të ndjekim pasionet tona. Ngjisni malin dhe shijoni çdo moment”, -ka shkruar ajo.

Por duket se kjo deklaratë nuk ka mjaftuar, pasi prezantuesja ka kërkuar sërish falje të hënën në emision. Ndërkohë që një grup balerinësh protestonin jashtë studios së saj, Spencer ka kërkuar sërish falje në transmetim live.

“E dreqosa! Komenti që bëra për baletin ishte idiot dhe i pandjeshëm. Kërkoj pafund falje”, -është shprehur ajo.

Për të rregulluar gabimin e saj, Lara kishte ftuar në emision një tre balerinë, me të cilët diskutoi më shumë për baletin.

Share With:
Translate »
424 Views