Prindër të mirë nga fëmijëri e trazuar

Ndrysho jetën tënde! Ke gjithë fuqinë për ta arritur këtë. Ky është një mesazh, të cilin përditshmëria dhe puna e vazhdueshme me persona të ndryshëm, më ka bërë ta faktoj dhe të bëhem përçuese e shembujve të tillë. Por si t’i motivojmë individët që të mos e humbasin shpresën, edhe pse mund të kenë probleme të vështira. Nga përvoja klinike, personale, kam vënë re se shumë persona ia kanë dalë.

Dr.Dan Siegel thotë se nga studime të ndryshme është vërtetuar se prindër, që vetë nuk kishin pasur “prindër mjaftueshëm të mirë” ose ishin rritur si fëmijë të traumatizuar, kanë arritur t’i japin kuptim jetës së tyre dhe të ndërtojnë marrëdhënie të shëndosha.

Ishte kjo pikënisja që më shtyu të kërkoj vëmendjen e lexuesve, parë në këndvështrimin e mësipërm social, duke e përcjellë këtë mesazh edhe në kulturën e re të terapistit apo shërbimeve multidisiplinare që kanë disa vite që aplikohen në vendin tonë. Gjithmonë kam besuar se “çdo njeri mund të arrijë të jetë i lumtur, pavarësisht se çfarë ka kaluar më parë!

Vetëm se ai thjesht ka lejuar veten të ndikohet nga shumë faktorë përreth tij dhe kjo i ka marrë kohën, por edhe i ka krijuar pengesa të panevojshme. Kur ti zbulon sesa e lehtë është të kesh një jetë plot paqe dhe lumturi, kërkon që këtë gjë ta ndash me të tjerët, pasi siç thotë një proverb kinez: “Kush ndez një dritë për të ndriçuar rrugën e dikujt, ti njëkohësisht ke ndriçuar dhe rrugën tënde”.

Në të shumtën e rasteve, psikologët bazohen tek e kaluara për të kuptuar më shumë mbi një individ. E kaluara ndikon fort te ne. Shembujt që ia kanë dalë të jenë ndryshe, sjellin motivimin se duhet besuar që secili ka fuqinë të ndërtojë jetën e tij ashtu siç e dëshiron ai vetë dhe t’i japë asaj lumturinë e merituar dhe nuk ka pse të gjendet në kurthin e përsëritjes së ngjarjeve apo emocioneve negative. Ngjarjet me nivel të lartë emocional apo rastet ku është përjetuar dhunë e fortë në familje, sigurisht që e vendosin në lëkundje qetësinë e një fëmije dhe e bëjnë të ndihet i pasigurt në shumë sfera të jetës.

Një fëmijë që dhunohet sistematikisht në familje, ose ka përjetuar ngjarje të dhimbshme a traumatike, pret që e njëjta gjë të ndodhë edhe në rrethin e tij social. Duke qenë se ndihet me vetëvlerësim të ulët dhe me gjendje shpirtërore të lënduar, atëherë ai bëhet pre e të tjerëve për të abuzuar me të, qoftë edhe emocionalisht.

Lind pyetja, përse të qenit i abuzuar ose i lënduar nga ngjarjet në familje duhet të vazhdojë domosdoshmërish edhe në rrethin social? Mendoj se siguria e parë fitohet në familje. Aty fëmijët marrin vlerësimin e parë, ashtu sikurse edhe dështimi i parë ndjehet aty kur sulmohemi nga kritika të forta dhe krahasime të shumta. Të dyja këto janë të një rëndësie të veçantë, sepse edhe vlerësimi, edhe kritika duhet të jenë në nivelin e duhur, pasi nuk duhet të krijojmë iluzione të paqena, ashtu sikurse nuk duhet të demotivojmë e t’i heqim kurajën për të provuar sërish.

Ky fëmijë do të bëhet prind në një kohë të caktuar, por modeli i familjes që ka parë është skema e vetme që ka krijuar. Por, a mund të ndryshohet kjo skemë dhe të bëhet një tjetër person nga modeli që ka parë? Sigurisht që po. Çfarë ndodh me ata që kanë përjetuar vuajtje, trishtim, mungesë dashurie apo mungesë të përkujdesit prindëror?

Nisur nga hipotezat e shumta, në studimet e ndryshme se e kaluara ndikon te ne, atëherë a mos duhet të jenë të pashpresë këta njerëz me të kaluar të dhimbshme apo fati i tyre do të jetë i njëjtë si ai që kanë përjetuar?! Përkundrazi, është edhe mundësia që ata të reflektojnë dhe të nxjerrin mësime shumë të vlefshme, duke parë se dhuna, gjendja emocionale e ngarkuar apo përvojat negative, nuk janë reagime që japin përfitime pozitive. Ato të zhysin më shumë në një jetë të mjerueshme dhe jo të lumtur. Ata kanë një film të gjallë përpara syve. Dhuna nuk luftohet me dhunë, konflikti nuk shuhet me debate dhe kritikat nuk sjellin qetësi, por të gjitha këto gjenerojnë vetëm një jetë plot vuajtje. Si e tillë, këta njerëz që ia kanë dalë me sukses, kanë pasur reflektimin më të fortë, duke shtruar pyetjen: përse duhet vazhduar kjo rrugë, kur i dimë mirë pasojat?

Mendoj se çdo njeri e ka në dorë vetë të zgjedhë të ecë përpara, duke parë mundësi pafund për të ndërtuar e filluar diçka të bukur në jetën e tij, ashtu sikurse mund të ndalojë të shohë vetëm të kaluarën. Njerëzit gjenden pa kuptuar në kurthin e kohës, duke u bërë peng i kujtimeve të kaluara, kryesisht atyre që janë negative dhe kjo bëhet shpesh burim për shtrembërime konjitive, duke i çuar në analiza të tilla si: “unë jam pa fat; mua më ecën gjithmonë ters; kështu u ka ndodhur edhe njerëzve të mi”, etj. Këtu qëndron gabimi ose thelbi i shumë problemeve, duke cilësuar se e kaluara të mban peng vetëm atëherë kur nuk di ta kthesh atë në mësim. E kaluara edhe pse e vështirë mund të kthehet në forcë e motivim kur beson se ke fuqi të ndryshosh gjithçka, se koha nuk pret asnjë.

Qëllimi i jetës është pothuajse i njëjtë për shumicën e njerëzve: të gjejnë lumturinë, pavarësisht se lumturia është një koncept më vete, e cila perceptohet ndryshe nga njerëz të ndryshëm, disa i bën të lumtur paraja, fama, pushteti, e disa të tjerë i bën thjesht profesioni i tyre, ndërsa të tjerë i lumturon gjetja e dashurisë ose paqja me veten. Pavarësisht sesi është lumturia si koncept për secilin nga ne, të gjithë kemi fuqinë të shkëputemi nga e kaluara dhe të fillojmë jetën që dëshirojmë. Kjo ndodh kur ndryshojmë cilësinë e të menduarit. Secili nga ne është arkitekt i jetës së tij dhe paqen me veten nuk ia heq askush nëse ai nuk do vetë të ndodhë kjo gjë. Pra, askush nuk të rrëzon përtokë përveç vetes tende, askush nuk ka fuqinë që të ndryshojë rrjedhën e jetës tënde, përveçse ti vetë.

Shumë njerëz ndalojnë në kritikat që marrin nga të tjerët, duke i marrë ato si të mirëqena, duke i besuar si të vërteta, dhe kjo mund t’i kthejë ata mbrapa në kohë, në mënyrë të pavetëdijshme, ashtu sikurse i dëgjonin kur ishin fëmijë. Por sapo ndërgjegjësohen se kjo nuk ndihmon për asgjë, se e kaluara nuk ekziston më, se e ardhmja është diçka që mund ta ndërtojnë vetë, atëherë ndryshon i gjithë zinxhiri i mendimeve. Çfarë më pengon mua të mos arrij lumturinë, të mos gjej paqen me veten dhe të kem vetëvlerësimin e duhur? Përse të lejoj kritikat e të tjerëve dhe mendimin e tyre të ndikojnë mbi mua? Përse një e kaluar me dhimbje duhet të mbajë peng të ardhmen?

Duke reflektuar, arrin të gjesh kuptim mbi gjërat që kanë vërtet përparësi në jetë. Të gjitha këto varen vetëm nga ne, dhe të gjitha këto janë të mundshme nëse ne vërtet i dëshirojmë!

Arta Ismailati Llana, Msc.Psikologe Klinike, trapiste EDRM Niv.1, Poliklinika Qendrore Nr.3

Arta Ismailati Llana, Msc.Psikologe Klinike, trapiste EDRM Niv.1, Poliklinika Qendrore Nr.3

Share With:



47 Views