Prindërit duhet të lexojnë me fëmijët!

Të lexosh çdo ditë nga pak me fëmijët është e rëndësishme jo vetëm për shkak të kohës cilësore dhe argëtuese që kalon me ta, por edhe për të formësuar të ardhmen e tyre. Leximi është shumë i rëndësishëm dhe pjesa më e madhe e prindërve e dinë këtë, ashtu sikurse dinë se çdo fëmijë, herë pas here, ka nevojë për një nxitje, që mund të arrihet fare mirë duke e kthyer leximin në një aktivitet të përbashkët prindër-fëmijë.
Është shumë e rëndësishme që prindërit të dinë se si ta kthejnë leximin e librave në një aktivitet argëtues. Një nga gjërat më të thjeshta është t’i lexosh fëmijës nga pak çdo natë para se të flejë. Shumë pretendojnë se leximi i librave kur fëmijët janë shumë të vegjël dhe ende nuk janë në gjendje të flasin është humbje kohe, por në fakt pjesa më e madhe e studimeve bien dakord mbi rëndësinë e leximit që kur fëmijët janë në moshë të vogël.
Për të gjithë prindërit e interesuar, më poshtë po japim disa ide e këshilla se si procesi i të lexuarit të bëhet një aktivitet i këndshëm e dobiprurës.

1. Bëni pyetje!
Fëmijët i duan shumë figurat dhe janë gjithmonë kuriozë. Shumë libra për fëmijë janë të mbushur me figura kafshësh e pemësh. Gjatë kohës që jeni duke lexuar historinë, ndaloni për një çast dhe pyeteni fëmijën, p.sh., se sa zogj ka në një figurë. Në këtë mënyrë e angazhoni fëmijën duke tërhequr vëmendjen e tij.

2. Luani!
Gjeni kohë, herë pas herë, të bëni këndin tuaj “të skenës”. Provoni që, së bashku me fëmijën tuaj, “të aktroni”, duke bërë sikur jeni personazhet e librit. Shumë shpejt kjo do bëhet një nga lojërat e parapëlqyera të fëmijës dhe do ta shtyjë atë ta shfletojë vetë librin e radhës.

3. Improvizo!
Fëmijët i pëlqejnë improvizimet. Sidomos kur lexoni një libër që ajo e njeh, e ka lexuar më parë, improvizimet e bëjnë më argëtues leximin dhe ruajnë kuriozitetin.

4. Regjistro!
Në kohën e globalizmit, është e mundur që njëri nga prindërit të jetojë larg për disa ditë. Një nga mënyrat për të mos humbur lidhjen me fëmijët është përdorimi i internetit. Përdorni komunikimin online për t’i lexuar fëmijës ose regjistroni një pjesë, të cilën fëmija mund ta dëgjojë.

Përveç të mirave të shumta që sjell leximi, një nga më të rëndësishmet dhe që çdo prind do ta dëshironte është se fëmija i tyre do ta kujtojë gjithmonë kohën e kaluar duke lexuar me prindërit.

Share With:



323 Views