Prindi i revoltuar ngre flamurin e LGBTI-së në Ministrinë e Arsimit

Leonard Dedej është një nga prindërit e revoltuar për përmbajtjen e takimeve që komuniteti LGBTI ka zhvilluar në shkolla me gjimnazistë të Tiranës. Për këtë arsye, ditën e diel, si një gjest sarkastik, ai ngriti flamurin e komunitetit LGBTI në Ministrinë e Arsimit. “Unë vetë jam prind, ç’ lidhje ka që fëmija im të shkojë dhe të marrë në shkollë leksione për LGBTI-në? Fëmija nuk mund të imponohet. Po kryen fushata tek minorenët që nuk janë pjekur seksualisht. Unë e kam çuar fëmijën tim në shkollë për të marrë njohuri, për këtë shërben shkolla, jo për projekte ideologjike sepse nesër mund të ngrihen edhe pedofilët, të thonë duam të shkojmë dhe ne në shkolla dhe të japim ideologjinë tonë. Pasi mbushin 18 vjeç është histori tjetër, atëherë kanë të drejtë të zgjedhin, por jo të imponohen”, deklaron Leonardi. Përmes një njoftimi zyrtar, Ministria e Arsimit ka sqaruar se prej dy vitesh, në përputhje me planin e veprimit të qeverisë shqiptare për personat LGBTI, po trajnohen mësues dhe prindër mbi të drejtat e njeriut, bullizmin dhe dhunën. Duke lënë të kuptohet se prindërit janë dakord me projektet për informimin e nxënësve mbi komunitetin LGBTI në shkolla. Por, disa prindër janë kundër dhe shqetësohen për problematika të tjera. “Duhet të përqëndrohemi te problemet reale që kanë nxënësit në shkollat shqiptare, si drogat e lehta, aborti, kushtet e mësimdhënies, tekstet shkollore falas për njerëzit në nevojë… Këtu ka nxënës që rrinë me batanije në shkolla. Kjo fushatë antikushtetuese të ndërpritet menjëherë sepse nuk ka ku qëndron moralisht”, shton Leonardi.

Share With:



349 Views