Psikologia: Të fuqizojmë institucionin e familjes

Institucioni i familjes orienton dhe zhvillon individin, duke pasuar këtë zhvillim në një shoqëri të tërë. Nuk ka elemente të familjes që nuk lënë gjurmë në personalitetin individual. Në fillim individi modelon çdo sjellje bazuar në modelet e veta familjare. Me kalimin e kohës ndikimet e jashtme bëhen gjithnjë e më të dukshme, por asnjëherë kryesore pasi mbivendosen mbi “brumin” e krijuar nga familja.

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Nga Albjona Rrapaj, Psikologe Klinike

Të kuptojmë me kujdes rolin që zë familja, do thjeshtonte së tepërmi formën shoqërore të zhvillimit. Në dukje pretendohet se kjo gjë kuptohet më së miri, po sa real është ky kuptim? Nisemi nga perceptimi. Shpesh në debatet familjare ose dhe më gjerë dëgjohet të thuhet: Nuk po kuptohemi, po flasim dhe të njëjtën gjuhë? Pa diskutim që ne flasim të njëjtën gjuhë, por a është e mjaftueshme kjo për të pasur të njëjtin perceptim informacioni? Sigurisht që jo. Nëse reflektimi mbi qëndrimet, mendimet e ndjenjat tona ndryshon dukshëm, atëherë ne nuk flasim të njëjtën gjuhë. Pse i gjithë ky reflektim? Për të forcuar familjen, për ta bërë atë sa më funksionale, nuk mjafton vetëm modelimi, por mbi të gjitha zhvillimi i perceptimit reflektiv.

Nëse formësimi i mendimit, qëndrimit, bindjes do të ishte i shëndetshëm, pa diskutim që zhvillimi i pasuar do ishte produktiv. Individi i dalë nga një familje që nuk kujdeset në mënyrë parësore për sjelljen, por për mendimin, kjo familje do të ishte produktive jo vetëm brenda rrethit vetjak, por për të gjithë shoqërinë. Nisur nga trashëgimia jonë se si një familje duhet të jetë, problematikat janë të dukshme. Parësore në atë që vihet re nga kjo e kaluar është zhvillimi i egoizmit individual, mendimi i fokusuar drejt vogëlsisë dhe një dashuri e kushtëzuar në merita të drejtpërdrejta sjellore.

A e ka dëmtuar kjo trashëgimi familjen e sotme? Pa diskutim, por gjithsesi, zhvillimi që ajo po merr po i kalon barrierat. Sigurisht kur mendimi bëhet më i thelluar, lindin edhe problematika më të mëdha. P.sh: rritja e theksuar e numrit të divorceve. Pavarësisht problemeve të këtij fenomeni edhe të mirat nuk kursehen. Të jetohet shëndetshëm brenda një familjeje do të thotë që ajo të funksionojë siç duhet, kur kjo nuk ndodh është më e shëndetshme që individi të largohet prej saj.

Çfarë do të sillte një funksionalitet më të mirë në familje?

  1. Zhvillimi i mënyrave për të nxitur mendimet e thelluara drejt qëllimeve dhe synimeve afatgjata.
  2. Kalimi i një kohe cilësore dhe shumë efektive së bashku, si dhe diskutime konstruktive.
  3. Zhvillimi i marrëdhënies bazuar në ndjenja të pakushtëzuara e pa fokus personal (kur prindërit fokusohen në dëshirat e tyre më shumë se të fëmijëve të tyre).
  4. Ndërtimi i rutinës produktive. Aktivitete ku çdo pjesëtar zhvillon veten në kuadër të zhvillimit të përbashkët.
  5. Krijimi i një harmonie dhe pozitiviteti, duke kapërcyer çdo vogëlsi të problemeve që na paraqiten.
Share With:



92 Views