Pushimet e verës nuk kanë mbaruar ende për këtë shkollë në Durrës | Video

Rreth 800 nxënës në fshatin Kullë të Durrësit vazhdojnë pushimet e verës dhe nuk kanë nisur ende mësimin. Shkolla e tyre është në rinkonstruksion dhe punimet e vonuara rrezikojnë të lënë pa mësim për një kohë të gjatë nxënësit e 9-vjeçares dhe gjimnazit të kësaj zone.  Shkak për këtë shtyrje janë nisja e punimeve me vonesë dhe kërkesat e vazhdueshme për fonde. Drejtori i shkollës së mesme thotë se ditët e munguara do të zëvendësohen me mësim të shtunave.  “Në bazë të kontratës, shkolla duhet të përfundojë më 15 tetor, por shpresojmë të mbarojë dhe më shpejt. Ky investim përmirëson kushtet e mësimdhënies nëpër klasa, por nuk e zgjidh problemin, nevojën për klasa të tjera. Në çdo vit na shtohet numri i klasave dhe zgjidhja do të ishte ndërtimi i një shkolle tjetër këtu në oborr, që të kishte dhe palestër”, deklaron drejtori Mynyr Kaça.  Zhvendosja në shkollat e fshatrave të tjera nuk u pa si zgjidhje për shkak të largësisë dhe nevojave për transport. Të çliruar nga detyrimet shkollore, fëmijët e fshatit i gëzohen pushimeve të zgjatura, ndërsa për të rriturit shtyrja e procesit mbetet një shqetësim, por i pranuar pasi investimi në shkollë ishte i domosdoshëm. “Shqetësim është, por kishte kaq vjet shkolla pa u rikonstruktuar. Më mirë pak me vonesë dhe shkolla të bëhet të shtunë e të dielë, por të ketë të gjitha kushtet”, thotë babai i një vajze. 
“Është shqetësim pasi do t’u duhet të bëjnë mësim të shtunave kur kanë dhe gjëra të tjera, kanë familje. Motra ime është në vit të fundit gjimnaz dhe ky vit është shumë i rëndësishëm për të”, shprehet një tjetër i rritur. 
Rikonstruksioni nuk e shmang mësimin me turne ndërsa në ndërtesën e re do përdoren bankat e vjetra. /Top Channel

Share With:



379 Views