Rasti i dhimbshëm nga Shkodra/ 17-vjeçarja shkul prej tre vitesh flokët

“Stop” ka udhëtuar drejt Shkodrës në familjen e Qamile Muharit. Ajo është nënë e dy fëmijëve dhe kërkon ndihmë për vajzën, Adelina Emini, 17 vjeçe, e cila pasi ka kaluar një traumë, ka probleme shëndetësore dhe shkul flokët e veta.

8

Qamilja nuk punon, pasi vajza nuk rri dot vetëm. Ajo nuk ka patur mundësi të shkojë as te mjeku, as të trajtohet me ndihmë ekonomike.

Qamile Muhari: Unë ju kam thirrur, sepse gjendja e shtëpisë dhe e vajzës që është më kryesore është shumë, shumë e keqe për mua.

Adelina Emini: Kur kam qenë në Itali me babin nuk kam patur fare komunikim me mamin, as me vëllain nuk kisha dhe kisha shumë mall për ta. Kur erdha nga shkolla, se kam qenë në shkollë, më tha babi: Mos u mërzit, atyre iu është prishur shtëpia, iu është djegur. Aty mendova, mos është djegur mami ose vëllai. Kur në një moment, e vendosa dorën në kokë dhe fillova ti heq flokët, nuk më dhimbte koka kur i hiqja flokët. As vetë nuk e kuptova pse dhe tani prej 3 vitesh, unë i shkul flokët e mia...

Qamile Muhari: U torturuan gjatë dimrit, me atë rezistencë që njëherë nxehet, njëherë jo. Pa drita, pa çdo gjë, nuk di nga t’ja mbaj më. Fëmijët e mi nuk kanë mbulesa, vetëm 3 batanije, nuk kanë jastëkë. Janë pa bukë prej ditësh. Komshinjtë më sjellin ndonjë pako makarona, siç e shikoni vetë. Çfarë të bëj, ku të shkoj?

5-1

Gazetarja: Po vajzën nuk e ke çuar në asnjë spital, me asnjë doktor?

Qamile Muhari: Jo, nuk i kam mundësitë. Me çfarë ta çoj, kur nuk punoj. Kur nuk punoj, t’ju mbush barkun me bukë fëmijëve të mi, me çfarë ta çoj në spital…

Gazetarja: Nuk merr ndonjë ndihmë ekonomike nga Bashkia?

Qamile Muhari: Asgjë, asgjë..

Gazetarja: Babai i fëmijëve ku është?

Qamile Muhari: Ai është në Itali, nuk përgjigjet për fëmijët. Ka jetën e vet, ashtu i pëlqen. Na sheh në televizione, nuk preokupohet.

Adelina Emini: Nuk ka mundësi, për të më çuar tek doktori, unë nuk e lë të punojë. Nuk mundem të rri vetëm, kur rri vetëm kam frikë, stresohem…

Qamile Muhari: I lutem çdokujt, nuk dua luks. Dua vetëm të jenë fëmijët mirë, nuk dua asgjë tjetër…

Gazetarja e “Stop” kërkoi bashkëpunim me spitalin rajonal dhe ky i fundit vuri në dispozicion grupin e urgjencës dhe mjeken psikiatre, Valdete Hoxha. Ata e vizituan në shtëpi vajzën, e cila do të ndiqet nga ekipi i mjekëve.

Valdete Hoxha: Psikiatri fillon ndihmën e shpejtë, të jep mjekimin. Duke marrë mjekimin herë pas here, muaj pas muaji, vajzës i zhduken simptomat e këqija që ka. Duke parë situatë, duke parë gjendjen, e ndihmoj unë me anë të murgeshave dhe i japim mjekimin deri sa të plotësohen dokumentet.

Nga ana tjetër, Shërbimi Social i Shkodrës dhe specialisti Eltjon Boshti bënë verifikimet në terren, duke premtuar që çdo institucion të japë atë që mundet dhe kompetencë për këtë rast ekstrem.

Eltjon Boshti: Do bëjmë një verifikim, vlerësim dhe nga dita e nesërme, zonjës t’i ofrohen shërbimet e duhura specifike, që mund të ketë të përfshira në programin e mbrojtjes sociale, qoftë në drejtorinë Rajonale të Shërbimit Social Shkodër, por edhe në Bashkinë Shkodër, që do ta referojmë rastin shumë shpejt.

Nga kontributorët e programit, famijes në nevojë iu dhanë 400 mijë lekë dhe një sasi e konsiderueshme ushqimesh.

Share With:



110 Views